Kantautore Mira Janji: “Këngën e re e kam kompozuar vetë, mezi pres ta sjell për publikun”

Karriera e saj është e bazuar në një punë të lodhshme, për të arritur aty ku është sot. Është këngëtarja e mirënjohur, Mira Janji, e cila në karrierën e suksesshme artistike njeh vetëm arritje dhe çmime të para. Mira tani është duke e sjellë edhe këngën e re, e cila tha ekskluzivisht për Gazetën Demos tha se kënga është e kompozuar nga vetë ajo.

Gazeta Demos: Mira Janji, jeni e mirënjohur për publikun, por cili është sekreti i suksesit tuaj?

Mira Janji: E dua profesionin tim prandaj dhe jam diplomuar në Akademinë e arteve dhe specializim pasuniversitar jashtë vendit, në Itali, ku ndërkohë jepja mësim si pedagoge. E kam profesion, por dhe punoj shumë.

Gazeta Demos: A do të sillni risi në karrierën, të cilën po e zhvilloni a po do të vazhdoni me të njëjtin ritëm?

Mira Janji: Sigurisht jam duke përgatitur këngën e re, që e kam kompozuar vetë dhe mezi pres ta sjellë për publikun dhe adhuruesit e këngës shqipe.

Gazeta Demos: Si ishte kjo verë për ju?

Mira Janji: E ngarkuar me koncertet e maratonës “Kënge moj” në TvVizion Plus, në Festivalin e filmit dhe aktivitete të ndryshme.

Gazeta Demos: Cilat janë planet e tuaja të mëtejshme, a merreni edhe me diçka tjetër pos muzikës?

Mira Janji: Muzika është profesioni im, që e kam dashur qe e vogël, është profesion që nuk të le kohë të merresh me diç tjetër, por më pëlqen modelimi, moda dhe sporti.

Gazeta Demos: Emri juaj është lakuar gjithnjë si prej femrave më të bukura në vend, çfarë mendimi keni mbi të bukurën si e tillë?

Mira Janji: Kam marrë pa fund komplimente dhe për pamjen për përkushtimin e zgjedhjeve të gardërobës në videoklipe, foto, koncerte dhe me bënë të ndihem vërtet mirë, që deri tani pa ndërhyrje kirurgjikale, kështu siç jam unë, natyrale, të pëlqehem nga publiku. Jo se jam kundër, por deri tani nuk kam pasur nevojë për diçka të tillë.

Gazeta Demos: Në hapësirat mbarë shqiptare, ku pushon më së miri shpirti i këngës suaj?

Mira Janji: Unë kam kënduar dhe në Australinë e largët, në Amerikë, Evropë, kudo publiku më mirëpret shumë mirë. Nuk bëj dallime, mundohem që të krijoj një atmosferë, ku publiku të dëgjojë zë të bukur “live” dhe të kënaqet.

Gazeta Demos: Sa albume muzikore keni realizuar dhe a keni ndonjë projekt tjetër në të cilin po punoni tani?

Mira Janji: I kam realizuar katër albume muzikore, këngë të ndryshme dhe me videoklip nga gjuhë të ndryshme të botës.

Gazeta Demos: A është Mira e njëjtë edhe në jetën e saj private, a po dallon?

Mira Janji: Zakonisht në jetën e përditshme jam sportive, më pëlqen të jem sa më komode.

Gazeta Demos: Çfarë mendoni për vajzat e reja, të cilat po i hynë muzikës? Cila është këshilla e juaj, në mënyrë që ta mbajnë publikun më gjatë në skenë?

Mira Janji: Talent, sigurisht, por edhe punë, se pa punë e përkushtim, nuk arrihet asgjë.