“Kanë qenë mbi 12 thyerje në trup” – Eksperti mjekoligjor dëshmon në rastin e Marigona Osmanit

Gjykata Themelore e Ferizajt ka vazhduar me seancën gjyqësore në çështjen penale kundër të pandehurve, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu. Në këtë seancë kanë dëshmuar dy specialistë të mjekësisë në rastin e vrasjes së Marigona Osmanit

Eksperti mjekoligjor Naim Haliti, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka thënë se pacienti ka qenë një kufomë për të cilën kanë bërë edhe raport të detajuar e të cili ai tha se i qëndron mbrapa.

“Qëndroj mbrapa raportit te autopsisë. Lëndimet i kemi përshkruar në bazë të të gjeturave në autopsi, andaj te gjitha lëndimet janë të përshkruara në detaje në raport. Nga e ndjera, janë marrë edhe strishot për analiza toksiologjike”, ka thënë Haliti.

Tutje, eksperti ka elaboruar raportin e tij duke shtuar se në kuadër të të gjeturave vdekja e të ndjerës ka ardhë si pasoj e shokut hemorragjik dhe asfiksisë, si dhe traumave të cilat kanë ardhë si pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme.

“Lëndimet kanë qenë të shkaktuara nga mjetet prehëse dhe goditjeve siç janë shtypjet dhe përplasjet, konkludojmë se kanë qenë mbi 12 thyerje në trup”, tha eksperti mjeko-ligjor Naim Haliti

Sipas tij, viktima kishte përdorur një analgjetik për trajtim te dhimbjeve para se të vdiste.

“Të gjitha lëndimet të cilat i kemi ekzaminuar, qoftë në dukje të jashtme apo të brendshme, ne i kemi përshkruar në raport, andaj i qëndrojmë mbrapa raportit. Bazuar në analiza dhe gjendjes së saj, e ndjera ka vdekur nga dhuna në bazë të politraumes që nënkupton lëndime që ndodhin në trupin e kufomës. Janë më shumë se dy lëndime dhe më shumë se dy lokacione të ndryshme në trup. Ajo ka vdekur edhe nga shoku hemorragjik i asfiksisë mekanike të cilat kanë ardhur si pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe brendshme “, ka thënë ai, raporton Betimi për Drejtësi.

Më 6 shtator të këtij viti, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit gushtin e kaluar.

Krivaqa akuzohet se më 21 gusht 2021, në ditën e vdekjes, e ka dhunuar viktimën në dy raste. Ndërsa, Sejdiu akuzohet se e ka ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit. Sipas aktakuzës të pandehurit e kanë dhunuar seksualisht deri sa viktima ka humbur vetëdijen.