Kandidatja e pavarur serbe për kryetare të Zveçanit: Shtyrja e zgjedhjeve favorizon vetëm Listës Serbe

Kandidatja e pavarur për kryetare të komunës së Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, me vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës, i kanë bërë një nder Listës Serbe dhe se Kurti ka humbur ndaj Vuçiqit “në të gjitha frontet”.

Pantoviq thotë se është thellësisht e zhgënjyer me këtë vendim të institucioneve të Kosovës dhe thotë se e gjithë situata me barrikadat e sotme është inskenuar për hir të takimit që është mbajtur në orën 15:00, pas së cilit Osmani ka thënë se zgjedhjet në veri, të planifikuara për gjysmën e dytë të këtij muaji, shtyhen për në 23 prill.

Ajo thotë se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme, pasi siç thotë ajo është “fundi i historisë” për të.

“Me vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve, Listës Serbe i është bërë favor që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Mund të mos marrin pjesë si Listë Serbe, do t’i vënë një emër tjetër, por do të shkojnë në zgjedhje dhe nuk do të ketë më paqe, as për shqiptarët, as për serbët që nuk janë për Listën Serbe. Mendova se zoti Kurti kishte forcën dhe fuqinë për t’i bërë ballë Vuçiqit, por Kurti humbi ndaj Vuçiqit në të gjitha frontet. Më vjen keq që mora pjesë në gjithë këtë dhe besova në një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Por, me këtë veprim Kurti dhe Osmani treguan se krimi nuk do të zhduket kurrë”, thotë Pantoviqi, e cila e akuzon Listën Serbe për lidhje me grupe kriminale.

Ajo thotë se nuk dëshiron më të marrë pjesë në jetën politike dhe as nuk i intereson se çfarë do të ndodhë më pas.

“Mbajtja e zgjedhjeve ishte e vetmja mundësi që Kurti të mbetej i kujtuar nga populli për mirë dhe të ruante paqen, por ai nuk e ka atë fuqi. Më vjen keq që Vuçiqi doli më perfid. Le t’i ecin lirshëm kriminelët Kurtit, Lista Serbe le të jetë aktive dhe policia le të merret me fëmijë që merren me drogë, ndërsa këta kriminelë të mëdhenj shëtisin, nuk dënohen dhe askush nuk i vuan pasojat. Njerëzit mund të mendojnë vetëm një gjë, se janë dakorduar me Listën Serbe”, thotë Pantoviq, transmeton Klankosova.tv.

Ajo beson se populli i Kosovës do të jetë në gjendje më të rëndë pas vendimit për shtyrjen e zgjedhjeve.

“Po tërhiqem publikisht nga gjithçka dhe për mua ky është fundi i historisë. E vetmja keqardhje për mua është që besova në fuqinë tënde, por njeriu i zgjuar mëson nga gabimet e të tjerëve, budallai nga gabimet e tij. Ju lutem zoti Kurti, vazhdoni të bashkëpunoni me kriminelë si paraardhësit tuaj, nuk më duhen të gjitha këto në jetën time. Nëse do të isha në pozicionin e opozitës do të kërkoja largimin tënd dhe Vjosa Osmanit, sepse nuk ke fuqi të jesh aty ku je. Ju i keni futur njerëzit në më shumë telashe”, thotë ajo.

Pantoviqi ka qenë kandidate edhe në zgjedhjet e mëparshme për drejtimin e Zveçanit.

Ajo shprehet se i vjen keq që ka marrë pjesë në procesin zgjedhor dhe se siç thotë ajo ka rrezikuar punën dhe familjen e saj për të zëvendësuar Listën Serbe.

E pyetur për barrikadat në veri të Kosovës, ajo është përgjigjur se nuk e shqetësojnë.

“Pse të më interesojë mua se a do të ketë barrikada. Nuk më intereson nëse ata therin njëri-tjetrin. Nuk më intereson më. Do të shoh se çfarë do të ndodhë me ne që ishim kandidatë dhe të cilët si unë dëshirojmë të tërhiqemi. Po ta dija më herët, do t’i bashkohesha Thaçit si shembull që ka më shumë pushtet, por besoja se Kurti do të bënte diçka. Ata inskenuan gjithçka. Si njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për këtë? Bëjnë një seancë në orën tre dhe para kësaj gjoja arrestojnë dikë, pastaj barrikada, sirena. Pra, gjithçka është një skenar. Nuk e di kush merr pjesë në film, kush është roli kryesor, kush është skenaristi, por gjithsesi e di që kandidatët e LS-së e kanë përdorur Kurtin me dinakëri”, përfundoi Kandidatja e pavarur për kryetare të komunës së Zveçanit, Sllagjana Pantoviq.