Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), mjeku i njohur Arbër Tolaj, ka deklaruar se pensionistët janë kategoria më e ndjeshme e shoqërisë dhe se ata janë lënë në harresë të plotë nga shteti.

Tolaj ka theksuar se ligji aktual për pensionet ka diskriminuar mijëra pensionistë, të cilët, pavarësisht se kanë punuar dhe kanë kontribuar edhe para luftës, nuk arrijnë të përfitojnë pensione kontributdhënëse.

“Ligji aktual ka diskriminuar mijëra pensionistë që fatkeqësisht nuk arrijnë të marrin pensionet kontributdhënëse edhe pse kanë punuar edhe para luftës,” ka shkruar Tolaj.

Ai ka premtuar se me angazhimin e tij si deputet dhe me mbështetjen e AAK-së, ndryshimi i Ligjit për pensione do të jetë prioritet, në mënyrë që pensionistët të marrin pensione meritore dhe trajtim dinjitoz nga shteti.