Herolind Kozhani

Kandidati për Asamble Komunale të Lipjanit paraqet pikat të cilat do t’i ketë si prioritet

Herolin Kozhani, kandidat për Asamble Komunale të Lipjanit nga radhët e PDK-së, ka paraqitur pikat apo nevojat të cilat do t’i ketë si prioritet, shkruan Ballkani.info.

“Të dashur bashkëvendas, pikat apo nevojat e fshatit të cilat do t’i kem si prioritet në paraqitje në asamble janë rinia, shëndetësia, infrastrukturë për ujë të pijshëm dhe asfaltimi i rrugës e cila lidhet me Ribar të Vogël”, theksoi ai.

Ai kërkon votën e qytetarëve në mënyrë që të jetë zë i fuqishëm i fshatit të tij në Kuvend.

“E mira kthehet me të mirë, sot, ju mua besimin, nesër unë mbështetjen institucionale juve”, u shpreh ai.

Njoftimi i plotë:

Unë si kandidat për asamble komunale, kërkoj votën tuaj, në mënyrë që të jem zë i fuqishëm i fshatit tonë në Kuvend. E mira kthehet me të mirë, sot, ju mua besimin, nesër unë mbështetjen institucionale juve.

Të dashur bashkëvendas, pikat apo nevojat e fshatit të cilat do t’i kem si prioritet në paraqitje në asamble janë rinia, shëndetësia, infrastrukturë për ujë të pijshëm dhe asfaltimi i rrugës e cila lidhet me Ribar të Vogël.

– Sa i përketë rinisë, duke filluar nga pika kryesore që është shkolla, ka nevojë për inventar të ri, duke marrë parasysh që nuk është investuar kohë të gjatë, po ashtu salla e sporteve ka disa vite që ka filluar të ndërtohet dhe ende nuk kanë përfunduar punimet.

– Shëndetësia: një fshat me mbi 500 shtëpi dhe afro 4 mijë banorë, me e pas mungesë një ambulantë ku mundemi me i kontrollu bashkëfshatarët tanë që të mos i mundojmë deri në Lipjan është e papranueshme duke e pas parasysh që jemi ndër 3 apo 4 fshatrat më të mëdhenj në komunën tonë.

– Infrastruktura: Infrastruktura është në gjendje të rëndë, duke shtruar rrugë që i ngjasojnë shtigjeve të bicikletave dhe jo rrugëve për vetura edhe atë në kualitetin më të dobët dhe pa asnjë shenjë identifikuese rrugore, është shqetësuese. Fshati ynë ende nuk e ka një rrugë direkte që e lidh qendrën me ne, por duhet t’i kalojmë nga 3 apo 4 fshatra dhe për këtë duhet të jap llogari kjo qeverisje lokale.

– Shqetësim tjetër nga të gjithë banorët dhe ndër brengat më të mëdha është ajo që kemi nevojë më së shumti, uji i pijshëm, që ka qenë ndër premtimet që ky kryetar në largim e ka bërë si primar për fshatin tonë dhe ende në 8 vite qeverisje apo më mirë t’i themi keqqeverisje nuk e ka bërë asnjë lëvizje. Siç e dijmë e ka ndalu afër shkollës dhe për tek ne nuk ka ende asgjë.

Andaj, jam këtu para jush që nga ky vend, nga ky takim të më jepni mbështetjen tuaj dhe të rrethit tuaj, që këto shqetësime dhe plot shqetësime tjera t’i adresoj në asamble komunale. Këto mandatet e fundi fshati ynë nga PDK-ja nuk ka pasur përfaqësues dhe problemet nuk kanë qenë të adresuara në vendin e duhur, por vetëm në letër të shkruara dhe të pashfletuara e aq m’a pak për t’u ngritur si çështje.

Mos të ndalemi për pak, të kërkojmë votën te gjithsecili, së pari për kryetarin tonë në ardhje Prof. Dr Hyzer Rizani dhe për mua si nje impuls shtesë. Bashkë n’a priftë e mbara!