Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kamenicës, Kadri Rahimaj ka zgjedhur ta kopjojë një thënie nga shefi i tij në parti, kryeministri Albin Kurti, për ta përdorur në njërën prej paraqitjeve të tij televizive para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Një nga replikat e Rahimajt në “Kallxo” të shtunën ishte e njëjtë me një replikë të kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës

“Pse po do me ma m’veshë një dëshirë tëndën si fakt për mua?”, tha Rahimaj gjatë debatit kundër kandidatit tjetër për kryetar dhe kryetarit aktual të Kamenicës, Qëndron Kastratit.

Këtë ‘gjetje’ në të shprehur, e kishte bërë shefi i Rahimajt në LVV, kryeministri Albin Kurti në njërën prej seancave të Kuvendit ku kritikohej e akuzohej nga opozita.

“Dëshirën e juaj mos ma përshkruani si fakt mua”, kishte thënë Kurti gjatë një replike.

Në LVV, sidomos, Kurti gëzon një admirim të pakontestueshëm, deri në përpjekjen e atyre që mundohen ta kopjojnë edhe në sjellje e në të folur.

Deputeti i LVV-së, Gazmend Gjyshinca është njëri prej atyre që u bë shumë i njohur në masë nga paraqitjet e tij telivizive, ku mundohej të bënte e shprehte gjithçka sikur shefi i tij, Albin Kurti.