Kandidatët për kryeministër në Angli premtojnë qëndrim të ashpër ndaj Kinës

Dy kandidatët që kanë mbetur në garë për postin e kryetarit të Partisë Konservatore britanike janë ish-sekretari i Thesarit, Rishi Sunak dhe Sekretarja e Jashtme, Liz Truss. Drejtuesi i ri konservator do të marrë automatikisht edhe postin e kryeministrit të vendit pas dorëheqjes së zotit Bors Johnson. Siç na njeh materiali në vazhdim, politika ndaj Kinës është bërë një çështje kyçe e fushatës.

Ish sekretari britanik i Thesarit, Rishi Sunak dhe Sekretarja e Jashtme, Liz Truss, po konkurrojnë për të marrë drejtimin e vendit pas dorëheqjes së Kryeministrit Boris Johnson në fillim të muajit. Rreth dyqind mijë anëtarë të Partisë Konservatore do të votojnë për të zgjedhur kryeministrin e ardhshëm të Britanisë në javët e ardhshme.

Taksat dhe inflacioni kanë dominuar axhendën e brendshme ndërsa Kina ka mbizotëruar si çështje në rrafshin e politikës së jashtme. Në një debat të fundit televiziv, zonja Truss tha se do të vinte në shënjestër kompanitë kineze si firma TikTok.

“Duhet të kufizojmë sasinë e eksporteve të teknologjisë për regjimet autoritare”.

Kryediplomatja britanike u zotua për një qëndrim më të ashpër kundër Pekinit.

“Pas abuzimeve tronditëse në Xinjiang, veprimeve të tmerrshme në Hong Kong dhe daljes në skenë se Kina po bashkëpunon me Rusinë dhe po i mbështet ata në luftën e tmerrshme në Ukrainë, ne duhet të mbajmë një qëndrim më të ashpër”.

Rivali i saj, zoti Rishi Sunak, e ka quajtur Kinën kërcënimin kryesor të sigurisë së brendshme dhe asaj globale.

“Si kryeministër, do të kem një pikëpamje shumë të fortë për t’u siguruar që ne të mbrojmë vlerat tona dhe të mbrohemi kundër këtyre kërcënimeve, sepse kjo është gjëja e duhur për sigurinë tonë”.

Kandidatët po i drejtohen një elektorati të caktuar, thotë për Zërin e Amerikës analisti Steve Tsang.

“Anëtarët e Partisë Konservatore janë më të shqetësuar për politikën ndaj Kinës sesa publiku i gjerë në tërësi. Kjo është arsyeja pse pretendentët për kryeministër e vënë theksin tek Kina. Ata ishin të përqendruar vetëm tek një çështje, se kush është më i ashpër ndaj Kinës, në vend të asaj se cila do të ishte strategjia e Mbretësisë së Bashkuar për Kinën”.

Përputhja e politikave si kryeministër me retorikën e fushatës mund të jetë një sfidë, thotë zoti Tsang.

“Disa angazhime mund të zbatohen shpejt, për shembull mbyllja e instituteve Confucius(të financura nga Kina), të përmendura nga zoti Sunak. Por çështja qëndron nëse Liz Truss si kryeministre do të vazhdojë të përdorë përshkrimin ‘gjenoncid’ për Xinjiang-un, çfarë do t’i bënte shumë të vështira marrëdhëniet mes Britanisë dhe Kinës”.

Pekini e kritikoi gjuhën e përdorur në debat.

U bëj thirrje politikanëve të caktuar britanikë që të mos e përdorin Kinën si objek debati apo të reklamojnë të ashtuquajturin këcënimin kinez”, tha Zhao Lijian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Rezultati i votimit do të shpallet më 5 shtator./VOA/