Kancelari austriak: Ta përshpejtojmë anëtarësimin e Kosovës në BE, të përfshihen edhe miqtë gjermanë

Kancelari austriak Karl Nehammer i ka dhënë mbështetje Kosovës për anëtarësimin në BE, duke thënë se për këtë do të angazhohet.

Ai ka thënë se këtë proces do ta përshpejtojnë edhe me Gjermanisë si aleate e madhe e Kosovës.

“Edhe kryeministri e përmendi që Austria të jetë urëlidhëse me BE-në. Kemi zhvilluar biseda të mira se si mund të përshpejtojmë procesin, prandaj do të jetë e rëndësishme për ne që edhe Republikën Federale të Gjermanisë ta përfshijmë, sepse edhe ata janë miq të Kosovës që ta përshpejtojmë anëtarësimin në BE. Besoj që bashkë do t’ia dalim, sepse për Austrinë Ballkani Perëndimor është një pikë gjeostrategjike dhe gjeopolitike”.

“Kemi lidhje historike me njëri-tjetrin dhe është e rëndësishme që edhe në të ardhmen të jemi të lidhur së bashku. Për këtë Kosova duhet të jetë brenda Bashkimit Europian dhe për këtë duhen perspektiva të mëdha”.

Nehammer tha se i di problemet e Kosovës me Serbinë, por se duhet të shikojë kah e ardhmja.