Kampioni i madh shqiptar i botës, Haxhi Krasniqi ngjitet nesër në ring, mbron titullin ndaj Dominic Boesel

Boksieri shqiptar, Robin Haxhi Krasniqi do të kthehet në ring ditën e nesërme, ku do të përballet sërish me Dominic Boesel, për ta mbrojtur titullin kampion që e fitoi para një viti.

Krasniqi do të zhvillojë rimeçin me Dominic Boesel, të cilin e mposhti me 10 tetor të vitit 2020 në raundin e tretë me nokaut.

Pas asaj fitore, Kransiqi u shpall kampion bote IBO dhe WBA në peshat gjysmë të rënda.

Megjithatë, ditë më parë u zyrtarizua nga boksieri shqiptar se do të ketë rimeç me Dominic Boesel, i cili do të luhet me 9 tetor të këtij viti, respektivisht ditën e nesërme.

Krasniqi duket shumë i përgatitur për këtë meç, atje ku do të tentojë që ta mbrojë epitetin e kampionit të botës.

“Kam gjithçka nën kontroll, gjatë stërvitjes nuk takoj askënd. Ky duel ka përparësi dhe asgjë nuk mund të më shpërqendrojë. Vetëm kur nuk jam në ring mendoj çfarë duhet të bëj. Jam njeri punëtor, për mua koha është flori. Mendoj se është turp të shkosh në shtëpi për të fjetur”, u shpreh Robin “Haxhi” Krasniqi, para këtij takimi.

Historia e tij është mjaft e veçantë, atje ku pas emigrimit në moshën 17-vjeçare, nga Kosova në Gjermani, Robin “Haxhi” Krasniqi u kthye në një prej boksierëve më të mirë në botë.

Rimeçi i tij zhvillohet nesër në ora 23:00.