Kreu i NISMËS, Fatmir Limaj është përmendur si anëtar i grupit kriminal në aktakuzën e konfirmuar të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Në pikën 62 thuhet se Fatmir Limaj së bashku me Shukri Bujën dhe anëtarë të shumtë të UÇK-së morën pjesë në arrestimin dhe ndalimin e rreth 30 personave në Llapushnik, ndryshe i njohur si Kamp-Burgu i UÇK-së që gjendej në komunën e Gllogocit në Kosovë.
“Të paraburgosurit, të cilët u mbajtën për periudha të ndryshme kohore, u lidhën me zinxhirë dhe u ruajtën”, shkruan në aktakuzën e publikuar.
“Rreth fundit të muajit prill 1998 dhe 25 ose 26 Korrik 1998, disa anëtarë të UÇK-së operuan një vend paraburgimi në një kompleks të rrethuar në Llapushnik.
Në atë kohë të caktuar, rreth 30 persona u arrestuan në Llapushnik pa një proces të rregullt ligjor.
Të paraburgosurit, të cilët u mbajtën për periudha të ndryshme kohore, u lidhën me zinxhirë dhe u ruajtën.
Disa të arrestuar në Llapushnik u transferuan nga vendet e tjera të paraburgimit. Anëtarë të shumtë të UÇK-së, përfshirë Fatmir LIMAJ dhe Shukri BUJA, morën pjesë në arrestimin dhe ndalimin e personave të mbajtur në Llapushnik”.







