Kamishi tregon se si i siguroi kontaktet për 3 milionë vaksina Pfizer, furnizimi bëhet 3 javë pas marrëveshjes

Deri në 3 milionë doza të vaksinës Anti-COVID janë premtuar për Kosovën nga një kompani prodhuese e vaksinës Pfizer-Biontech. Kështu së paku ka bërë të ditur deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, i cili ka deklaruar se ka siguruar kontaktet e kësaj kompanie, dhe se tre javë pasi vendi të nënshkruan marrëveshje me të, do të vinë dozat e para të vaksinës, raporton Ballkani.Info.

Deputeti i Partisë Demokatike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka treguar për Express se si ka arritur të sigurojë kontaktet, të cilat thotë se i ka, me një nga prodhuesit e vaksinës Pfizer-Biontech, si dhe për ndihmën që i është ofruar Kosovës.

Ai thotë se dy deri në tri javë pasi Kosova të nënshkruajë marrëveshjen me këtë kompani prodhuese, vendi do të furnizohet me dozat e para të vaksinës.

“Duke parë që virusi çdo ditë po vret qytetarët tanë, kam marrë iniciativën dhe u kam shkruar shoqatave të mjekëve shqiptarë në Evropë dhe në Amerikë, njerëzve me ndikim dhe biznesmenëve tanë të suksesshëm. Unë kam kërkuar ndihmën e tyre që të na ndihmojnë në sigurimin e vaksinave. Ka pasur edhe iniciativa individuale të shoqatave shqiptare në Gjermani, të cilat i kanë kërkuar ndihmë edhe Bundestagut. Nga këto kontakte kam siguruar një kompani e cila ka dhënë ofertat e saj për Kosovën që të sigurojë 500 mijë deri në 3 milionë doza të vaksinës Pfizer”, ka treguar ai.

Haxhiu ka thënë se ka më shumë se 10 ditë që ka bërë kërkesë për ndihmë në shoqatat e shqiptarëve jashtë vendit, dhe se kompania që i ka ofruar ndihmë Kosovës është mjaft serioze.

Për kontaktet që ka siguruar, ai tashmë e ka njoftuar edhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai ka thënë se Vitia bashkë me Naim Bardiqin, kryesues i Komisionit të Negocimit për sigurimin e vaksinave, nga sot e kanë marrë në kompetencë të diskutojnë dhe pastaj t’i drejtohen kompanisë.

“Ofertën që e kam marrë ia kam dhënë ministrit Arben Vitia. Fillimisht përmes email’it i kam kërkuar që të takohemi për të parë se a kanë interesim për të siguruar vaksinat, pastaj ministri Vitia më ka ftuar në takim. Të gjitha kontaktet ia kam ofruar Ministrisë së Shëndetësisë që të vazhdojë tutje, sepse më tutje kontaktet duhet të bëhen përmes Ministrisë e Shëndetësisë dhe kompanisë prodhuese. Prej sot, ministri Vitia dhe sekretari Bardiqi kanë marrë në kompetencë të diskutojnë, pastaj t’i drejtohen kompanisë për t’i treguar se janë të interesuar për vaksina”, ka theksuar ai.

Se sa mund të kushtojnë këto vaksina, Haxhiu ka thënë se nuk ka informata, por që është shprehur se aq sa paguan Amerika e Evropa, do të paguaj edhe vendi.

Në këtë proces ai ka thënë se nuk ka vend për keqpërdorime,

“Tani kjo çështje është e tyre, me rëndësi është që të sigurohen vaksinat. Çmimi është i prodhuesit. Ka kompani partnere përmes të cilave mund të bëhet prodhimi, është çmim standard i prodhuesit që e paguan shteti i Kosovës dhe nuk mund të ketë ndikim të ndonjë biznesi. Ashtu sa e paguan Amerika e Evropa, ashtu e paguan edhe Kosova”, ka thënë ai.

Tutje Haxhiu ka thënë se Kosova ka kapacitete që të kryej deri në 10 mijë vaksinime, andaj është e nevojshme që vendi të sigurojë vaksinat në mënyrë që të mposhtim pandeminë.

Përndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas takimit me Haxhiun ka thënë se janë të hapur për të gjithë ata që u ofrojnë ndihmë.

Ai ka thënë se kontaktet që kanë marrë nga Haxhiu do t’i verifikojnë.

 “Së pari falënderoj të gjithë qytetarët që po mundohen të na ndihmojnë, kjo është shenjë e mirë që secili qytetar e secila parti duhet ta bëjë. Ne do të jemi të hapur për secilin qe na vjen dhe na ofrohet sepse është detyrë e jona si Ministri e Shëndetësisë. Ne sot kemi pasur një takim me deputetin Haxhiu, ku ka prezantuar disa nga kontaktet që ne kemi mbetur për t’i verifikuar”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që Kosova deri tani është furnizuar me vetëm 24 mijë doza të vaksinave nga COVAX, ndërsa vendi që nga fillimi i pandemisë ka regjistruar 101 mijë e 794 të infektuar me COVID-19.