Kamioni që shkaktoi aksidentin në Gjilan dyshohet që s’kishte regjistrim, ndalohet pronari i kompanisë

Burime te Ballkani.info nga Policia në Gjilan thonë se ka dyshime të forta se kamioni që shkaktoi aksidentin tragjik dje në Gjilan nuk ishte i regjistruar fare.

Në anën tjetër, pronari i kompanisë së ujit, E.T., kamioni i së cilës shkaktoi dje aksidentin në qendër të Gjilanit është ndaluar sot.

Në Prokurorinë e Gjilanit kanë treguar se ndalimi i tij është bërë pasi mbi të rëndon vepra “Mbikëqyrje e pandërgjegjshme e trafikut rrugor”. I njëjti është ndalur për 48 orë.

“Po, mund të konfirmojmë se pronari i kompanisë është ndaluar, pasi ka përfunduar intervistimi. Ky është ndaluar për 48 orë fillimisht në drejtim të veprës mbikëqyrje e pa ndërgjegjshme e trafikut publik”.

Prokuroria Themelore në Gjilan gjatë ditës së sotme ka njoftuar se ka kërkuar masën e paraburgimit për M. A, shoferi i kamionit, pasi që i njëjti dyshohet se gjatë ditës së djeshme ka shkaktuar aksidentin në qendër të Gjilanit, ku një person ka vdekur ndërsa 27 të tjerë janë lënduar. /Ballkani.info/