Votimi në veri

Kamerat për vëzhgimin e votimit në veri huazohen nga Shqipëria, certifikimi i listës së votuesve deri më 9 prill

Të dielën e 21 prillit, qytetarët e katër komunave veriore në Kosovë do t’i drejtohen kutive për të votuar pro ose kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë. Deri në ditën e votimit, KQZ ka paraparë disa aktivitete për organizimin e këtij procesi. Një nga vendimet është edhe vendosja e kamerave në qendra të votimit, për çka KQZ në Kosovë të shtunën ka nënshkruar memorandum me KQZ-në në Shqipëri për huazimin e tyre dhe të bojës matrikuluese.

Komisioni Qendror i Kosovës më 11 mars ka miratuar Planin e Aktiviteteve për organizimin e procesit të votimit të 21 prillit.

Dje është hapur afati për dorëzimin e ankesës për akreditimin e vëzhguesve, ndërsa do të mbyllet më 15 prill. Sipas këtij plani, fushata për ose kundër largimit të kryetarëve do të fillojë më 19 prill deri më 21 prill.

Gjithashtu, KQZ ka marrë vendim që deri nesër të jetë periudha për ndërrimin e qendrës së votimit.

Afati për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon më 29 mars dhe përfundon më 3 prill, ndërkaq afati për kundërshtimin dhe konfirmimin  e listës së votuesve fillon më 18 mars dhe përfundon më 5 prill.

Ndërsa jo më vonë se deri më 9 prill duhet të bëhet certifikimi i listës votuese.

Emërimi i Këshillave të Vendvotimit fillon më 10 prill dhe përfundon më 11 prill, ndërsa aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta dhe në institucione fillon 10 prill dhe përfundon më 18 prill.

KQZ ka marrë vendim që periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës të fillojë më 12 prill dhe të përfundojë më 20 prill.

Plani i aktiviteteve:

  1. Fushata për ose kundër largimit të kryetarëve të komunave fillon më 19 prill dhe përfundon në orën 07:00 më 21 prill 2024;
  2. Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhgueseve të OJQ-ve vendore, ndërkombëtare dhe mediave fillon më 01 prill dhe përfundon më 15 prill 2024; Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike fillon më 1 prill dhe përfundon më 15 prill 2024;
  3. Emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve bëhet më 17 mars 2024;
  4. Emërimi i Këshillave të Vendvotimit fillon më 10 prill dhe përfundon më 11 prill 2024;
  5. Publikimi i listës së qendrave të votimit bëhet jo më vonë se 16 mars 2024;
  6. Periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës fillon më 18 mars dhe përfundon më 3 prill 2024;
  7. Afati për kundërshtimin dhe konfirmimin  e listës së votuesve fillon më 18 mars dhe përfundon më 5 prill 2024;
  8. Aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon më 29 mars dhe përfundon më 3 prill 2024;
  9. Certifikimi i Listës Votuese bëhet jo më vonë se 9 prill 2024;
  10. Periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës fillon më 12 prill dhe përfundon më 20 prill 2024;
  11. Aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta dhe në institucione fillon 10 prill. dhe përfundon më 18 prill 2024;

KQZ ka miratuar edhe planifikimin buxhetor. Procesi i votimit pritet të kushtojë 233 mijë e 204 euro.

Përdorimi i kamerave në vendvotime

Më 28 mars, KQZ mbajti një mbledhje të radhës, gjatë së cilës miratoi 9 specifika teknike sa i përket mbajtjes së votimit të 21 prillit. Një nga këto specifika ka qenë edhe “për shërbimet e instalimit dhe përkrahjes teknike të kamerave në vendvotime”, e cila pritet të vlejë edhe për zgjedhjet tjera kurdo që të mbahen ato.

Pasi kjo specifikë u miratua, anëtari i KQZ’së nga PDK, Ilir Gashi, shprehu një dilemë rreth kësaj çështje. Ai pyeti nëse kjo është në përputhshmëri me ligjet në Kosovë.

“Edhe pse votova pro, një dilemë sa i përket çështjes së kamerave në vendvotim nuk po flas për rastin konkret, është çështje që do të përcillet kurdo që mbahen zgjedhjet në krejt Kosovën. A është në përputhshmëri me ligjet aktuale në Kosovë, me cenimin e privatësisë sepse kjo çështje është trumbetuar shumë gjatë në Kosovë. Nuk po flas për rastin konkret sepse kjo do të vlejë edhe për herë tjera por këtu kam dilema, nuk e di nëse është në plotni me kornizën tonë ligjore”, tha ai.

Anëtari tjetër i KQZ’së nga PDK, Arianit Elshani, bëri të ditur se kamerat do të huazohen nga Komisioni Qendror i Shqipërisë, ndërsa sa i përket zgjedhjeve të ardhshme lokale e parlamentare do të nevojiten procedura të veçanta.

“Ashtu siç është e rregulluar edhe me rregulla zgjedhore që i kemi lënë hapësirë për garantimin e transparencës dhe regjistrimit në vendvotime, realisht këto specifika janë veç për përkrahjen teknike që do të jepet sepse është një procedurë e veçantë që do të zhvillohet për marrjen në shfrytëzim, në huazim nga KQZ e Shqipërisë, për të cilën do të kemi edhe një memorandum bashkëpunimi me ta dhe do të huazohen këto kamera për të incizuar brenda vendvotimit. Por sigurisht se kjo çështje sa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe lokale në nivel nacional nevojiten procedura të veçanta, pra ky është një lloj testimi, pilotimi që po i bëjmë për përdorimin e këtyre kamerave brenda vendvotimit”, tha Elshani.

Ndërkaq, anëtari i KQZ’së nga VV, Alban Krasniqi, ka thënë se vendosja e kamerave është pjesë e dy rregulloreve. Ai ka thënë se ruhet fshehtësia e votës pasi kamerat do të vendosen në forma dhe pozita ku sigurohet mbarëvajtja e procesit të votimit.

“Dmth vendosja e kamerave regjistruese janë pjesë e dy rregulloreve, ajo për votim dhe për punën e KVV’ve. Në anën tjetër, ligji i ri ia ka dhënë si obligim KQZ’së që gjatë proceseve të votimit dhe numërimit të rritet transparenca dhe kjo është në suaza të asaj transparence. Natyrisht se është e qartë se ruhet fshehtësia e votës, ato vendosen në forma dhe pozita ku sigurohet mbarëvajtja e procesit dhe për çfarëdo rrethane që nesër mund të na duhet, për rezultate apo aspekte tjera, kjo është e zgjidhshme. Për herë të parë po i bjen tash, por rregulloret i kemi miratuar dhe vazhdon të përdoret edhe në proceset tjera zgjedhore”, tha Krasniqi.

Pas miratimit të këtyre specifikave, KQZ në Kosovë ka pasur një takim me KQZ’në Shqipëri.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka njoftuar se kanë nënshkruar memorandum për huazimin dhe përdorimin e kamerave monitoruese në vendvotime dhe të bojës matrikuluese për shënjimin e zgjedhësve.

“Gjithashtu, nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit për huazimin dhe përdorimin e kamerave monitoruese në qendrat e votimit dhe të bojës matrikuluese nga KQZ e Kosovës për t’u përdorur në procesin e votimit të datës 21 Prill 2024.” 

VIDEO BONUS: