AVONET

Kamerat e trupit të Policisë së Kosovës bëhen të qasshme për publikun

Organizata AVONET, ka njoftuar se kamerat e trupit të Policisë së Kosovës janë bërë të qasshme për publikun.

“Procedura Standarte e Operimit (PSO) për përdorimin dhe administrimin e sistemit të kamerave të trupit në Policinë e Kosovës është deklasifikuar pjesërisht për qasje publike nga të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Deri te kjo arritje ka ardhur pas një hulumtimi të z. Lorik Krasniqi – Zv. Drejtor Ekzekutiv i AVONET, rast i cili ka filluar në muajin dhjetor të vitit 2023, ku duke shfrytëzuar dispozitat ligjore pozitive ka kërkuar qasje në disa PSO të Policisë së Kosovës, në lidhje me këtë në janar të këtij viti (2024) kemi pranuar përgjigjen në raport me kërkesën tonë nga Policia e Kosovës, ku është ofruar qasje në të gjitha PSO-të, përveç në PSO-në për përdorimin dhe administrimin e sistemit të kamerave të trupit në Policinë e Kosovës, me arsyetimin se bazuar në Ligjin për Informacionin e Klasifikuar dhe verifikim të sigurisë qasje nuk mund të ofrohet në PSO-në ”Përdorimi dhe administrimi i sistemit të kamerave të trupit”, për shkak se ky dokument është i klasifikuar.

Në lidhje me këtë, AVONET ka konsideruar se ky dokument nuk ka arsye të mjaftueshme që të cilësohet ende si i klasifikuar.

Andaj, duke shfrytëzuar të drejtën për ndjekjen e mjeteve juridike, në janar të vitit 2024, kemi kontaktuar AIP-në, në lidhje me rastin e paraqitur për PSO-në në fjalë.

Rrjedhimisht, kjo çështje ka vazhduar të trajtohet nga AIP-ja, ku në maj të këtij viti e njejta ka parashtruar kërkesë në Policinë e Kosovës për deklasifikimin e dokumentit publik.

Policia e Kosovës në fund të muajit maj, na ka njoftuar se ka formuar komisionin përkatës përmes vendimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për deklasifikimin e dokumentit në fjalë. Kështu që nga fundi i muajit maj ky dokument më nuk është plotësisht i klasifikuar, rrjedhimmisht i njëjti është i qasshëm për publikun.

Komisioni i formuar nga Drejtori i Përgjithshëm ka vendosur që informacione konfidenciale të jenë vetëm paragrafet ku përcaktohen detajet e serverëve të këtij sistemi. AVONET vlerëson rëndësinë e privatësisë së qytetarëve dhe siguron se hapësira për qasje të hapur dhe transparente në PSO-në në fjalë ka një impakt pozitiv në rritjen e besimit publik dhe përmirësimin e mëtejshëm të praktikave të sigurisë publike.

Ne vazhdimisht me vite të tëra kemi angazhuar resurset tona për të mbështetur qeverisjen e hapur dhe përgjegjëse në Kosovë, andaj konsiderojmë se çdo veprim në lidhje me përdorimin e kamerave të trupit duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe të respektoj të drejtat dhe privatësinë e qytetarëve. Të bashkangjitura mund të gjeni disa informacione dhe grafika, që shpjegojnë se cilat janë të drejtat e qytetarëve dhe palëve të tjera që derivojnë nga dispozitat e kësaj Procedure Standarte të Operimit. Me respekt, Zyra për Informim Rrjeti i OJQ-ve AVONET”.