Kamer Metaj që u vra në Istog dyshohet se grabiti TEB Bankën në Prishtinë

Persona të maskuar dhe të armatosur, mëngjesin e 26 nëntorit kishin kryer një grabitje në njërën prej degëve të TEB Bankës në kryeqytet.

Me veprimin e tyre si në filmat aksion ata kishin terrorizuar personelin e bankës dhe kalimtarët e rastit.

Policia e Kosovës kishte dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, por të dyshuarit me një veturë Volkswagen Bora kishin arritur të ikin në drejtim të panjohur.

Por kur kanë kaluar më shumë se një muaj e gjysmë nga kjo grabitje, dyshohet se është zbuluar vetura e përfshirë në këtë rast, shkruan indeksonline.

Ajo dyshohet se është gjetur në familjen e Kamer Metaj, i vrarë nga Policia e Kosovës të enjten duke tentuar të kryente grabitje në një bankë në Istog.

Metaj në tentativë të kryerjes së veprës la të vdekur në vend policin Izet Demaj, i cili u varros të shtunën me ceremoni shtetërore në Koshare.

Policia e Kosovës e ka konfiskuar automjetin Volkswagen Bora dhe është duke e ekzaminuar atë ndërsa zyrtarisht nuk është deklaruar për lidhshmërinë e rasteve.