Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se bashkëpunimin e shqiptarëve të Luginës me qeverinë e Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e paraqet si tentativë për destabilizim dhe “krijim të Shqipërisë së Madhe”.

“Ka disa herë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bashkëpunimin tonë institucional me qeverinë e Republikës së Kosovës e paraqet si tentativë për destabilizim dhe “krijim të Shqipërisë së Madhe”, ka shkruar ai në Facebook.

Si një ndër të drejtat fundamentale të pakicave, sipas tij, Kushtetuta e Serbisë, e parasheh edhe “bashkëpunimin me shtetin amë” duke pyetur se pse e pengon kjo Vuçiqin dhe deklarohet kundër normës fundamentale kushtetuese?

“Patur parasysh këtë, afërsinë gjeografike, lidhjet e përditshme e tradicionale, sidomos ato institucionale me Republikën e Kosovës, janë parakusht i avancimit të pozitës dhe mirëqenies së Shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Pse për presidentin e Serbisë qenkan destabilizuese mardhëniet tona normale me Kosovën, ndërkohë që sipas tij janë konstruktive aventurat e tij në çdo cep të Ballkanit Perëndimor ku jetojnë serbët?”, ka vijuar ai.