Kalon afati i vendimit të qeverisë, nga sot nuk do të ketë përcaktim të çmimit të derivateve

Nga sot nuk do të ketë përcaktim të çmimit të derivateve të naftës nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Kjo pasi, rregullorja që ishte vendosur nga Qeveria e Kosovës ishte në fuqi vetëm për 30 ditë.

Sot është bërë një muaj që kur çmimet e derivateve janë përcaktuar nga shteti. Mirëpo, vendimit të Qeverisë tashmë i ka skaduar koha dhe si rrjedhojë më çmimet nuk përcaktohen.

Qeveria e Kosovës kishte miratuar një udhëzim administrativ me të cilin përcaktohej çmimi maksimal i lejuar për derivatet e naftës.

Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari kishte deklaruar se ka mospërputhje të çmimeve në Kosovë me lëvizjet në tregjet botërore.

Për këtë ka thënë se do të caktohet menjëherë çmimi maksimal i lejuar.

“Udhëzimi administrativ bëhet me qëllim që të mbrohet konsumatori dhe konkurrenca për të mënjanuar çrregullimet në treg. Në bazë të të dhënave që posedon MINT-i, të konfirmuara me evidencë nga bizneset nga Dogana dhe ATK-ja, ka mospërshtatje të çmimeve vendore krahasuar me lëvizjet në tregun botëror. Mospërshtatja e çmimeve është një ndër shkaqet kur Qeveria mund të përcaktojë çmimin maksimal të lejuar, apo të kufizimit të marzhës tregtare. Do të jenë të bazuara në evidencat e Doganës dhe ATK-së. Me këtë udhëzim MINT-i propozon përcaktimin e menjëhershëm të çmimit maksimal të lejuar për derivatet”, ka thënë ajo, raporton Demokracia.com.

Sipas rregullores, fitimi është 12 centë për shitjet me pakicë, ndërsa 2 centë për shitjet me shumicë.

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës kishte kundërshtuar këtë vendim duke thënë se “Qeveria ka bërë kalkulim të gabuar”.

Madje, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres të MINT, Rozeta Hajdari i kishin dërguar një letër ku i ftonin në takim për të diskutuar për rregulloren. Ky takim, nuk u mbajt asnjëherë.

E gjatë ditës së djeshme Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se me masat dhe veprimet e ndërmarra kundrejt rritjes së çmimeve në sektorin e naftës, ka dhënë efekte të menjëhershme dhe rezultate pozitive për qytetarët.

Në njoftimin e MINT, thuhet se Qeveria Kurti ka prioritet mbrojtjen e konsumatorit dhe mbështetjen e bizneseve vendore përmes rregullimit të tregut.

Ministria ka thënë se ky udhëzim prioritet ka mbrojtjen e konsumatorit dhe mbështetjen e bizneseve vendore përmes rregullimit të tregut dhe se me masat dhe veprimet e ndërmarra kundrejt rritjes së çmimeve në sektorin e naftës ka dhënë efekte të menjëhershme dhe rezultate pozitive për qytetarët tanë.

“Prandaj, masat në vijim për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse do të merren sipas evidencës së inspektimeve me gjetje nga Inspektorati i Tregut në nivel qendror dhe komunal në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe në komunikim e konsultim të afërt me Doganën e Kosovës, Autoritetin e Konkurrencës, Shoqatën e Naftëtarëve dhe bizneset individuale të naftës dhe me konsumatorët”, thuhet në një postim nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë. /Demokracia.com/