Shinji Kagawa ka dështuar të përsëris formën e mirë te Borussia Dortmundi në periudhën e dytë te klubi gjerman, teksa reprezentuesi i Japonisë tashmë synon të aktivizohet në La Liga.

Kagawa këtë sezon ka pasur shumë pak hapësira nën drejtimin e trajnerit Lucien Favre duke zhvilluar vetëm dy paraqitje.

Dortmundi po kalon nëpër një formë të mirë gjersa kryeson Bundesligën me 30 pikë, 9 më shumë se rivali kryesor, Bayerni.

Favre është fokusuar më shumë te futbollistët e rinj, me Sanchon e Hakimin që kanë shkëlqyer.

Prej që u rikthye në “Signal Iduna Park” para 4 viteve, Kagawa ka vuajtur për vazhdimësinë, derisa mendon se kohës së tij te Dortmundi i ka ardhur fundi, me 29 vjeçarin që planifikon të transferohet në Spanjë.

“Dua që të rregulloj situatën aktuale sa më shpejt që është e mundur. Një prej mundësive është që të ndryshojë skuadrën. Dua të ndryshoj ambient dhe të përballem me sfida tjera. Kam luajtur te Manchester United dhe Dortmundi, nuk ka rëndësi në cilin skuadër do të shkoj. Në vitet e fundit gjithmonë kam menduar si të shkojë në Spanjë. Nuk mundem të pensionhem pa luajtur në Spanjë. Kjo është sfida më e rëndësishme në karrierën time”, theksoi Kagawa.

Shinji Kagawa ka shënuar 60 gola në 212 paraqitje gjatë 6 viteve të kaluara te Borussia Dortmundi.