Kadriu: Shpresoj që edhe në botën tjetër Millosheviq do të përgjigjet për krimet e kryera

Sabit Kadriu, ishtë një nga mbi 100 dëshmitarët që morën pjesë në procesin gjyqësor ndaj “Kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq.

Kadriu tha në Info Magazine në Klan Kosova se shpreson që Millosheviq të përgjigjet edhe në botën tjetër për terrorin e bërë ndaj popullit të Kosovës, Bosnjës dhe Kroacisë.

Ai theksoi se ka pasur mjaftueshëm dëshmi që ish-presidenti i Serbisë të merrte dënimin e merituar.

“Unë shpresoj dhe besoj se në atë botë nëse ekziston ai do të përgjigjet për terrorin që ka kryer në radhë të parë mbi popullin e Kosovës, por edhe në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë”- tha Kadriu.

“Është një nisje e papërfunduar sepse siç e thatë edhe ju në kronikë ai nuk e mori epilogun e duhur. Por, për aq kohë sa zgjati gjykimi ka pasur dëshmitarë edhe nga prokuroria por edhe dëshmitarë të tjerë që e kanë vërtetuar që nga Kroacia, Bosnja dhe Kosova domethënë ka pasur argumente të fuqishme që Millosheviqi ta marrë dënimin e merituar, por për shkak të vdekjes së tij ai nuk e mori dënimin e tij të merituar”-theksoi ai.

Sot më 24 maj janë bërë 23 vjet prej kur është ngritur aktakuza për krime të luftës ndaj Sllobodan Millosheviq.

Ai ishte arrestuar më 30 mars të vitit 2001.