Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj e ka komentuar deklaratën e fundit të kryetarit të VV-së, Albin Kurti i cili sonte tha se do të takohet me Listën Serbe, anipse si para fushatës zgjedhore, gjatë saj dhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit, e kishte kundërshtuar kategorikisht një takim me partinë që dirigjohet nga Vuçiqi.
“Po shihet hapur ndryshimi i qëndrimeve të Albin Kurtit që me vite e manipulojë popullin në emër të Kombëtarizmit. E sot, nga takimi me Gjuriqin, heqja dorë nga bashkimi kombetar, tek Lista Serbe. Thjesht mashtrues i mirë”, ka shkruar Kadrijaj, transmeton Ballkani.info.
Kurti tha sonte se do të takojë përfaqësues të Listës Serbe dhe do të bisedojë me ta për ta kryer obligimin kushtetues – dhënien e një ministrie për serbët.
Kurti thotë se duke mos pasur përfaqësues të tjerë të minoritetit serb në Kuvend, përpos Listës Serbe, atëherë ai do të takohet edhe me këtë subjekt, të cilin lideri i VV-së e quan zgjatim të Beogradit.
“Deri në ditën e certifikimit të zgjedhjeve, kemi shpresuar se ndoshta do të mund t’ia dalë një deputet tjetër serb, i cili nuk është i Listës Serbe. Problemi im me Listën Serbe nuk është pse ajo është serbe. Përfundimisht, me certifikim, u pa që kjo nuk është e mundur”, ka thënë Kurti në Euroneës të Shqipërisë. /Ballkani.info/






