Kadrijaj: Është e nevojshme që të jemi të unifikuar në këtë momentum kur SHBA po e udhëheqë dialogun

Në seancën ku kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po raporton para shkuarjes në dialog me Serbinë, më 27 qershor në Uashington, fjalën e ka marrë deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, e cila ka thënë se është koha e fundit që nga dialogu me Serbinë, Kosova të shoh ndonjë rezultat konkret.

“10 vite dialog, plot marrëveshje të arritura, e plot të paimplemeturara. Për të dalë këtë trend, u ndërpre këtij dialogu. Ne si deputetë kërkojmë transparencë dhe do ta mbajmë qeverinë në mbikëqyrje. Ajo cka na intereson ta dimë është agjenda, platforma”, tha Kadriaj.

Deputetja kritikoi partitë politike opozitare, të cilat po e refuzojnë pjesëmarrjen në proces.

“Është e çuditshme për disa parti politike, kur janë në pushtet pranojnë të bisedojnë, përfshihen në dialog, ndërsa kur dalin në opozitë refuzojnë të jenë pjesë. Është e nevojshme që të jemi të unifikuar në këtë momentum kur SHBA po e udhëheqë dialogun”, tha ajo.

Ajo tha se duhet të ketë kërkesa edhe për BE-në në këtë proces. Tha se vizat duhet të liberalizohen dhe të kërkohet njohja nga pesë vendet anëtare. Ndërkaq, tha se garanca më e madhe për Kosovën në këtë proces është fakti që SHBA është në proces.

“Garanca më e madhe për Kosovë, është fakti që këtij procesi do t’i prijnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Bisedimet me Serbinë nuk duhet të dalin nga parimet. Nuk ka ndryshime të kufijve, nuk ka Republikë Dodik”, tha ajo. Kadriaj porositi qeverinë që të mos pranojnë diçka që prekë sovranitetin e Kosovës dhe të jetë e kujdesshme në këtë proces.

“Kemi shumë për të diskutuar me Serbinë. Janë viktimat, njohja, suksesioni, pensionet, dëmet e luftës dhe shumë të tjera. Prandaj, ekipi duhet t’i ketë parasysh të gjitha. Nuk duhet të pranojmë diçka që e prekë sovranitetin e Kosovës”, tha ajo.