Opozita po vlerëson se LV-ja dhe Lidhja Demokratike kanë mosmarrëveshje sa i përket qeverisjes, e se një gjë e tillë është duke reflektuar më së miri në çështjet me interes për shtetin. Këtë e ka deklaruar në një përgjigje për Gazetën Express, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj. Ajo thotë se LDK-ja më shumë përputhet me presidentin Hashim Thaçi në qëndrime, sesa me Vetëvendosjen.

Taksa e vendosur nga Qeveria e kaluar e mos marrja e vendimit që ajo të hiqet as pas zgjedhjeve të reja, i ka acaruar raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara, derisa, pezull po vazhdon që të qëndrojë edhe më tutje dialogu me Serbinë.

Dje gjatë ditës ka pasur edhe paralajmërime të qarta për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, ndërsa, data 15 mars që kishte paralajmëruar kryeministri Albin Kurti për heqje të pjesshme të tarifës, ka rënë poshtë, pasi që ky vendim është shtyrë për një afat tjetër.

Këto veprime të qeverisë së re janë duke u kritikuar nga opozita aktuale, që javën që lamë pas kërkoi seancë për mos heqjen e taksës, ndërsa, sot një seancë të re për marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në, pas paralajmërimeve që ka kohë që kanë nisur.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj po vlerëson se krejt kjo situatë po ndodhë pasi që partnerët e koalicionit kanë marrëdhënie të acaruara mes vete, e që Aleanca e kanë bërë tashmë të qartë qëndrimin e tyre për taksën.

“Unë mendoj që nuk i kanë raportet mirë brenda koalicionit qeverisës, po t’i kishin pas qëndrimet e njëjta besoj që ju kishin përmbajtë afateve, sepse ashtu e kanë thënë, ju e dini ne e kemi pas një seancë e kemi arsyetuar pse duhet, pse është vendosë taksa dhe pse duhet të mbahet. Jo që kanë hjek dorë nga heqja e taksës, por, kanë mosmarrëveshje mes partnerëve të koalicionit, ju e dini që LDK-ja ka qenë me u hjek taksa, këto janë probleme të brendshme të koalicionit qeverisës”, ka deklaruar ajo.

Kadrijaj ka përmendur edhe konferencën që e ka propozuar kreu i AAK-së, e ish-kryeministri, Ramush Haradinaj.

“Nuk është mirë, ju e shihni, unë po flas me Aleancën, lideri ka dalë me një propozim për unifikim të qëndrimeve dhe këtë rast për fazën përfundimtare të dialogut, ka me pas iniciativa që të ulemi se cilat janë qëndrimet e Kosovës në raport me marrëveshjen përfundimtare, marrëveshja që duhet të pranohet është ajo që e njeh Kosovën e 17 shkurtit të vitit 2008-të, kur është shpallë pavarësia e Kosovës, ky është qëndrimi ynë”, shton ajo.

Sipas deputetes së AAK-së, mos unifikimi në politikën e jashtme nuk i bënë mirë shtetit, teksa përmend dy tabore në vend, atë të kryeministrit dhe të presidentit.

“Ky mos unifikim në politikën e jashtme nuk i bën mirë shtetit, në njërën anë kryeministri, në anën tjetër presidenti që më shumë po përkrahet prej Lidhjes Demokratike që është partner i koalicionit i Vetëvendosjes, kjo e dëmton shtetin dhe raportet me shtetet tjera. Ne kemi kërkuar që në dialog të përfshihet edhe Amerika dhe tash është një momentum që Amerika po don me u përfshi në procesin e bisedimeve çka duhet është unifikim i spektrit të brendshëm”, thotë Kadrijaj.

Ajo sqaron se reciprociteti është një proces që duhet të studiohet paraprakisht para se të merret vendimi për të.

“Reciprociteti nuk mundet me u vendos sot, ajo është një proces që don studim, ka qenë vec një far me ble kohë, që reciprociteti nuk mundet me u vendos sot për sot, duhet të studiohet, me pa që ata heqën dorë edhe nga reciprociteti, fillimisht u patën deklaruar se njëherë duhet reciprocitet pastaj heqje e taksës e tash heqje e taksës e pastaj reciprocitet, këto deklarime janë vërtet shqetësuese”, tha deputetja.