Kadri Veselit i vdiq edhe babai para disa muajsh, Specialja e liroi për vizitë në të pame, por s’mori pjesë në varrim

Ka vdekur sot në moshën 93-vjeçare Ajshe Veseli, nëna e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Muaj më parë Veseli humbi edhe babanë, teksa është duke u mbajtur i paraburgosur në Gjykatën Speciale në Hagë.

Pas vdekjes së babait, Veselit iu lejua që të vijë në Kosovë në të pamen e babait, teksa mungoi në varrim.

Në muajin korrik të vitit të kaluar, Specialja konfirmoi se lirimi i përkohshëm i Veselit për vizitë u bë për arsye bindëse humanitare.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit për ta menaxhuar një vizitë kujdestarie në Kosovë që Kadri Veseli të jetë pranë familjes së ngushtë pas rastit të vdekjes së babait të tij. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX-I dhe Policia e Kosovës janë duke mbështetur Dhomat e Specializuara të Kosovës”, patën thënë nga Gjykata Speciale për Express, më 10 korrik të vitit 2021.

Veseli për vizitë në spital tek babi i tij u lirua edhe në maj të vitit të kaluar. Asokohe Veseli për vizitë qëndroi tri ditë.

Nuk dihet nëse Specialja do ta lirojë sërish për të marrë pjesë në varrimin apo në të pamën e nënës së tij.

Ndërkohë, Ajshe Veseli do të varroset sot në fshatin Broboniq të Mitrovicës.