Kadri Veseli i dërgon letër Kongresit Amerikan për krimet serbe në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i ka dërguar letër Kongresit Amerikan për krimet dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë gjatë luftës së fundit 1998-1999.

Letra i është dërguar së pari Nancy Polosit – Kryetares së Dhomës së përfaqësuesve (Kongresit), dhe Eliot Engel – kryetarit të komisionit për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan.

Në këtë letër e cila do tu dërgohet edhe gjitha Parlamenteve të vendeve mike por edhe Parlamentit Evropian, kryeparlamentari Veseli ka përmendur masakrat e shumta dhe krimet e shumta që Serbia ka kryer në Kosovë.

“Është e njohur ndërkombëtarisht se nën regjimin brutal të Sllobodan Millosheviçit, shqiptarët në Kosovë ishin viktima dhe objektiv i një dhune sistematike. Si pasojë, rreth një milion kosovarë, më shumë se gjysma e popullsisë, janë detyruar të largohen nga Kosova, me një gjysmë milioni të tjerë të zhvendosur brenda vendit. Në total, rreth 90 përqind e popullsisë etnike shqiptare u bënë refugjatë ose persona të zhvendosur. 13.535 u vranë. Në mesin e tyre ishin 1230 fëmijë, duke përfshirë bebet dhe fëmijë tjerë të vegjël”, thuhet mes tjerash në letrën e Kryeparlamentarit Veseli.

Ai ka përmendur edhe fatin ende të pazgjidhur për mijëra persona të zhdukur.

“Gjatë dhjetë viteve të ekzistencës së saj, Kosova ka treguar se është një vend paqedashës dhe që në mënyrë aktive kërkon marrëdhënie pozitive me të gjithë fqinjët e saj, duke përfshirë këtu Serbinë. Megjithatë, duhet të them, se ende duhet bërë shumë për të mundësuar shërimin, dhe një pjesë e këtij shërimi është pranimi i së vërtetës”, thuhet tutje në letrën e Kryeparlamentarit Veseli.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nëpërmjet kësaj letre, u ka kërkuar të gjitha vendeve që të nxjerrin nga një rezolutë përmes së cilës konfirmohet e vërteta e krimeve serbe në Kosovë.

“Në emër të Kuvendit të Kosovës, dëshiroj t’ju ftoj ju dhe kolegët tuaj për të bërë të mundur njohjen formale e padrejtësisë historike që është bërë kundër popullit tim. Kjo mund të bëhet përmes një rezolute që vë në dukje dhe dënon krimet kundër njerëzimit që kanë ndodhur në Kosovë”, thuhet në letrën e Veselit.