Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se taksa e vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake nuk i ngulfat përpjekjet për ta arritur një marrëveshje finale me Serbinë.

Gjersa ka folur rreth kritikave që Raporti për Vendin për vitin 2019 (i prezantuar sot nga zyrtarët e Zyrës së BE-së), ka adresuar rreth taksës, Kadaj-Bujupi tha se Serbia është ajo e cila nuk ka vullnet për të ecur drejt marrëveshjes.

“Taksën nuk e shohim si mekanizëm për t’i ngulfatur përpjekjet për ta arritur një marrëveshje finale. Nga Serbia nuk po shihet vullnet për të shkuar te njohja reciproke”, deklaroi ajo.

Deputetja e AAK-së më tej ka thënë se Kosovës për shkak të Serbisë nuk i është mundësuar anëtarësimi në INTERPOL. Kadaj-Bujupi ka folur edhe rreth çështjes së vizave, me ç’rast ka thënë se bizneset e Kosovës nuk po arrijnë progres pikërisht për shkak të izolimit.

“Si të izoluara bizneset tona nuk mund të kenë progres të nevojshëm derisa për një vizë duhet të presin për muaj me radhë”, ka nënvizuar ajo.

loading…