Kabllat e kamerave dhe internetit të zyrës kryesore të LDK-së janë këputur, flasin nga kjo parti

Kabllot e internetit dhe të kamerave janë këputur në zyrat qendrore  të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë thënë zyrtarë brenda këtij subjekti.

Një zyrtarë i lartë i LDK’së, në kushte anonimiteti është prononcuar për Gazetën Metro,  ku ka folur rreth dëmtimit të kabllove të internetit dhe kamerave që gjenden përreth selisë qendrore të këtij subjekti politik.

“Janë prerë kabllot e internetit dhe të kamerave, por ende nuk e jemi në dijeni se në çfarë rrethana ka ndodhur kjo, dhe ende nuk mund të themi nëse ka qenë një sulm, po presim që organet e sigurisë të thonë fjalën e tyre”, ka thënë një zyrtar i lartë.

“Zyrat nuk janë thyer, kabllot që kanë qenë mbi dhe përreth zyrave janë prerë tërësisht”, është thënë tutje.

Ndërkaq i njëjti zyrtar ka konfirmuar se organet e sigurisë janë duke u marrë me rastin dhe se për detaje më të hollësishme do të informojnë më vonë.

Ndryshe, sot më herët është raportuar se persona të pa identifikuar kanë sulmuar zyrat qendrore të LDK’së.