“Ka rrezik që të pengojë progresin e procedurave”, Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin ish-komandantit të UÇK-së

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Mappie Veldt-Foglia ia ka vazhduar masën e paraburgimit të akuzuarit për krime lufte, Salih Mustafa.

Kjo është bërë e ditur përmes vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendim thuhet ndër të tjera se rrjedhimisht, paneli konstaton se te i akuzuari nuk ka rrezik të arratisjes, kurse rreziku i tillë, edhe nëse ekziston, mund të zbutet në mënyrë adekuate nga kushtet që do t’i vendosen atij në pajtim me nenin 41(12) të Ligjit dhe rregullin 56(5) të rregullores.

Ndërsa, paneli ka gjetur se rreziku që i akuzuari të pengojë progresin e procedurave të Dhomave të Specializuara duke ndërhyrë te viktimat, dëshmitarët dhe/ose familjarët e tyre vazhdon të ekzistojë.

Sipas vendimit, paneli ka konstatuar se ka arsye të artikulueshme për të besuar se rreziku i pengimit të progresit të procedurave të Dhomave të Specializuara, siç parashihet në nenin 41(6)(b)(ii) të Ligjit, vazhdon të ekzistojë.

Mustafa, i njohur si ish-komandant Cali, është i arrestuari i parë nga Specialja dhe gjykimi ndaj tij ka filluar në shtator të vitit 2021.

Më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj tij, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë. Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës.

I njëjti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga ZPS-ja.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.