“Ka fobi prej policisë se e kanë shoqëruar për disa substanca…” – përplasen Tahiri e Rexhaj

Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj dhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri janë përplasur në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për çështjen e sigurisë.

Ndërsa Tahiri tha se nuk janë mbledhur më shumë se dy milionë euro në Fondin e Sigurisë, Rexhaj kërkoi argumente, ndërsa foli për punën e suksesshme të policisë. E këtu iu kap Tahiri në replikë, duke ia përmendur diosa “substanca jo të ndershme”.

“Tani kur përmendet policia, Arbëri ka ngapak fobi prej policisë sepse ky është mësu me qenë edhe i shoqëruar disa herë në stacionet e policisë për disa substanca jo shumë të ndershme, prandaj ky e ka ngapak telashe edhe fobi çështjen e policisë dhe mundohet kalimthi me kalu andej”, tha Tahiri.

Në kundërpërgjigje, Rexhaj i quajti shpifje deklaratat e Tahirit. Ai tha se këto pretendime janë demantuar nga organet e ndjekjes dhe të sigurisë në Prizren.

“Ky deputet po shërbehet me shpifje të cilat i ka demantu publikisht edhe prokuroria edhe policia prej kolegëve opozitarë në Prizren, pra ka pasë demant publik të Prokurorisë dhe Policisë. Po do me hedhë gurë në emrin tim meqenëse po e konsideron që duhet pra me e gjuajt, ta themi, shpifje të tilla”, tha Rexhaj.