Juventusi synon Jamesin nga Bayerni

Mediat gjermane raportojnë se e ardhmja e mesfushorit kolumbian të Bayernit, James Rodriguez duket se do të jetë në kampionatin italian, me Juventusin që po punon fuqimisht, për ta sjellë futbollistin në Torino.

James është pjesë e bavarezëve që prej verës së 2017-ës, kur u huazua nga Real Madridi për 2 vite, kundrejt 10 milionë eurove, ndërsa ka një akord paraprak mes klubeve, për blerjen përfundimtare për 36 milionë eurove.

Megjithatë në skenë ka dalë Juventusi, që duket se ka ndërmend të shfrytëzojë faktin që mesfushori kolumbian menaxhohet nga Jorge Mendes, i njëjti që përfaqëson edhe Cristiano Ronaldon dhe për më tepër, ka marrëdhënie të shkëlqyera me CR7-ën.

Sipas Sport Bild, bardhezinjtë kanë kontaktuar fillimisht me klubin e Bayernit, për të marrë informacion, nëse do të blejë përfundimisht mesfushorin, dhe vetëm pasi të marrë një përgjigje, do të nisë punën për të bërë një ofertë zyrtare.