Jurgen Klopp shkruan letër për tifozët: Nuk duam të luajmë me stadiume bosh, sot futbolli dhe ndeshjet nuk kanë rëndësi fare

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ka shkruar një letër për tifozët e skuadrës së tij pas situatës së vështirë të krijuar nga përhapja e koronavirusit.

Gjermani thekson ndër të tjera në letër se nuk beson që mendimi i një trajneri është i rëndësishëm në këto momente, ama e kupton që tifozët dëshirojnë të dëgjojnë nga ekipi.

Ai thotë se nëse ndihmohet vetëm një njeri me masat e marra atëherë duhet ta pranojnë pa e vënë fare në diskutim.

Letra e plotë e Jurgen Klopp

Nuk mendoj se ky është momenti kur mendimet e një trajneri futbolli duhet të jenë të rëndësishme, por e kuptoj që tifozët tanë dëshirojnë të marrin vesh nga ekipi prandaj do t’ua mundësoj këtë.

Pikësëpari, të gjithë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që të mbrojmë njëri-tjetrin, e kam fjalën në shoqërinë njerëzore. Kjo duhet të mbizotërojë gjithmonë në jetë, por në këto momente vlen më shumë.

E kam thënë dhe më parë që futbolli gjithmonë duket më i rëndësishmi i gjërave të pa rëndësishme. Ndërsa sot, futbolli dhe ndeshjet nuk kanë rëndësi fare.

Sigurisht që nuk dëshirojmë të luajmë në një stadium bosh dhe nuk dëshirojmë pezullimin e ndeshjeve apo garave, por nëse kjo ndihmon qoftë dhe një individ të vetëm atëherë ne pranojmë pa e vënë në diskutim.

Nëse bëhet fjalë për të zgjedhur midis futbollit dhe mirëqenies së një shoqërie më të madhe, patjetër që nuk ka kontestime.

Vendimi dhe njoftimi i sotëm po zbatohen për sigurinë e njerëzve dhe pikërisht për këtë ne e mbështesim tërësisht. Kemi parë pjesëtarë të ekipeve që ndeshemi të preken nga sëmundja. Virusi ka treguar se të qenit pjesë e futbollit nuk të bën imun. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për skuadrat dhe futbollistët rivalë që janë prekur ose mund të preken në të ardhmen.