“Ju lutem gjyqtar, më kanë vrarë djalin” Shtyrja e seancës revolton prindërit e Marvi Mihalit

Shtyrja e radhës e procesit gjyqësor ndaj 4 të rinjve, të cilët akuzohen për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim ndaj Marvi Mihalit, ka ngjallur reagimin në sallën e gjyqit të babait të të ndjerit, i cili ka deklaruar se këto zvarritje kanë rënduar akoma më shumë gjendjen psikologjike të familjareve të të ndjerit.

“Seanca e shtatë që po shtyhet. Ju lutem shumë, zoti kryetar i trupës gjykuese, kanë vrarë djalin tonë të pafajshëm. Përveç humbjes së madhe, po ngarkohemi me një gjendje emocionale të tmerrshme”, tha babai i të ndjerit.

Fillimisht, për këtë vrasje prokuroria akuzoi vetëm Dejvi Bitrajn, ndërsa tre të pandehurit e tjerë, Eugen Bitraj dhe Klidens e Marsel Allën i akuzoi për moskallëzim krimi. Por, pas shqyrtimit të kamerave të sigurisë pranë vendngjarjes, familjarët e të ndjerit denoncuan në Top Channel se djali i tyre ishte goditur nga të gjithë dhe jo vetëm nga Dejvi Bitraj.

Në këto kushte, prokuroria ndryshoi akuzat duke i akuzuar të 4 të pandehurit për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim. Përveç të pandehurve që janë në gjykim, prokuroria ka deklaruar se në vendngjarje ka qenë edhe një person i pestë që ka marrë pjesë në krim, por që ende nuk është identifikuar./tch