Edward P. Joseph

Joseph analizon atë që po ndodh në Serbi: Protestat po e rrisin stresin në ShBA dhe BE

Gjatë ditës së djeshme, pakënaqësia qytetare me regjimin e Vuçiqit dhe me zgjedhjet në Beograd shpërtheu keq. Dhjetëra të lënduar, dhe paralajmërime se do të ketë edhe më shumë protesta gjatë ditës së sotme. Këtë situatë e ka shqyrtuar në mënyrë kritike profesori amerikan Edward P. Joseph. Çka thotë ai?

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, menjëherë e cilësoi si të porositur protestën e djeshme që rrodhi spontanisht. Ndërkohë, për çdo kritikë është edhe reagimi brutal i Policisë së Serbisë ndaj qytetarëve të pakënaqur.

Profesori Joseph e vlerëson një fakt të tillë si “stres që po rritet ndaj Serbisë… dhe ndaj ShBA-ve.”

Ai i ka përmendur edhe disa prej lëvizjeve të Vuçiqit, siç ishte edhe takimi me ambasadorin rus në Beograd një ditë pas agresionit ushtarak në Banjskë. Njësoj pritet të bëjë sërish sot, një ditë pas protestave të dhunshme.

“A është ky refleks i liderit serb që do që vendi i tij të “anëtarësohet në familjen perëndimore të kombeve”?” – pyet Joseph.

Por, profesori amerikan përmend edhe një tjetër karakteristikë interesante të asaj që po na e zbulojnë zhvillimet e fundit.

“Kërcënimi standard i Vuçiqit ndaj diplomatëve perëndimorë është “mos më bëni presion tepër shumë, ose do të përballeni me tipat pro-rusë që janë përnjëmend të çmendur.” Në këto zgjedhje, Vuçiqi/SNS-ja “mbi-arritën” – dhe Vuçiqi mbi-dominoi – që nënkupton se Vuçiqi ka përgjegjësinë e vetme.”

Profesori Joseph vlerëson se për aq kohë sa protestat të vazhdojnë, do të rritet stresi edhe ndaj zyrtarëve të ShBA-ve dhe Bashkimit Evropian.

Në këto momente (25 dhjetor, 11:43), Danas raporton se studentë të shumtë janë mbledhur para Ministrisë së Administratës Shtetërore duke kërkuar hapjen e listave zgjedhore për të kuptuar më mirë parregullësitë që ndodhën në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ndërkohë, janë paralajmëruar për sot edhe të tjera veprime opozitare.

Kujtojmë se më 17 dhjetor, koalicioni i Vuçiqit arriti të fitonte mbi 46% dhe pritet të formojë qeverinë e re. Ajo që ishte befasuese ishte rezultati në Beograd, rezultat ky që po kontestohet.