JOKUSHTETUESE DHE JONJERËZORE | Albin Kurti vendos: Nuk ka paga për mësimdhënësit

Përkundër që Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës është pajtuar që greva të pezullohet e nxënësit dhe mësimdhënës t’i kthehen procesit mësimor, Qeveria e Kosovës nuk do t’i ekzekutojë pagat për muajin shtator për punëtorët grevistë.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kryeziu tha se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët që kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

Megjithatë, sipas ligjit, Qeveria Kurti nuk ka të drejtë që grevistëve të sektorëve të ndryshëm publik t’ua ndalojë pagën për aq kohë sa qëndrojnë në grevë.

Qysh në ditën e parë të grevës që ka nisur në Kosovë, Qeveria Kurti është munduar ta shtypë atë përmes presionit të paprecedent.

Ministria e Financave thirret në Nenin 18 të Ligjit për Grevat në Kosovë, duke e shmangur Nenin 13 të të njëjtit ligj.

Neni 13 i Ligjit për Grevat, në mënyrë specifike mbron të drejtat e të punësuarve gjatë grevës. Ligjvënësit e kanë emërtuar këtë nen në mënyrë të qartë, raporton Demokracia.com.

Edhe pse Ligji për Grevat është ndryshuar në vitin 2012, paragrafi 1 i Nenit 13 ka mbetur i pandryshuar.

Ky paragraf tregon qartë se: “Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’iu ndërpritet marrëdhënia e punës”.

Edhe pse ky nen nuk lë vend për asnjë dyshim, Qeveria Kurti kishte vazhduar me presionin e saj për të shtypur grevën.

Presioni i Qeverisë Kurti mbi grevistët dhe pezullimi i pagave të tyre po cilësohet si i paprecedentë, pasi asnjë Qeveri deri më tani nuk i kishte ndëshkuar grevistët.

Albin Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, në kohën sa ishin në opozitë i kishin mbështetur vazhdimisht protestat dhe grevat e arsimtarëve e mjekëve, por edhe të sektorëve të ndryshëm duke fajësuar gjithnjë qeveritë e kaluara./Demokracia.com/