‘Jo se na fusin çipa në trup’: Këto janë arsyet qesharake pse komuniteti RAE nuk po e merr vaksinën e COVID-it

Qytetarët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë kanë mbetur të pavaksinuar pa dallim moshe dhe kategori të tjera, për shkak të besimit në teori konspirative.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se do të angazhojnë ekipe mobile për vetëdijesim dhe vaksinim

Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian që jetojnë në Kosovë kanë mbetur të pa përfshirë në procesin e imunizimit me vaksinat kundër Covid-19. Qytetarët që i takojnë këtyre komuniteteve, pa dallim moshe ose kategori të tjera me sëmundje kronike, kanë mbetur të pa vaksinuar deri më tani, shkruan Gazeta Shneta.

Në lagjen e komuniteteve në Fushë Kosovë deri më tani janë vaksinuar vetëm dy persona. Kështu ka bërë të ditur njëri nga përfaqësuesit e tyre Hysni Hasani. Ai ka thënë se ditët e fundit kanë pasur thirrje për të marr pjesë në vaksinim.

“Kemi pas një thirrje për vaksinim dhe deri më tani me sa kam unë informacione vetëm dy persona i kanë marr vaksinat. Do të vazhdojmë t’i thërrasim për vaksinim, do të bëjmë apel edhe në xhami”, ka thënë Hasani.

Ai ka treguar se jo të gjithë pjesëtarët e komuniteteve kanë mundësi që të aplikojnë në platformën online eKosova për t’u vaksinuar. “Jo të gjithë kanë qasje në internet për t’u regjistruar, por problemi është te mungesa e vullnetit. Nëse kanë vullnet atëherë do të gjendet një zgjidhje”, ka thënë ai.

Hasani ka treguar se mungesa e interesimit për vaksinim lidhet me besimin në teori konspirative, për vendosjen e “çipit” si dhe shkaktimin e infertilitetit nga vaksinat kundër Covid-19.

Gjendje e njëjtë është edhe në Dubravë të Ferizajt. Dy përfaqësues të komuniteteve, Jetmira Kodrolli dhe Selatin Dudaki, kanë treguar se vetëm tre persona janë vaksinuar deri më tani.

“Nuk janë vaksinuar për shkak të teorive konspirative nga frika e vendosjes së çipave, dhe pamundësisë për të bërë fëmijë në të ardhmen”, kanë deklaruar ata.

Kodrolli dhe Dudaki thonë se deri më tani nuk kanë pasur asnjë interesim nga institucionet përgjegjëse për vaksinim, lidhur me ndonjë fushatë vetëdijësimi apo vaksinimi mobil në këtë fshat.

“Nuk kemi pas asnjë kontakt dhe as interesim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, kanë deklaruar ata.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se është planifikuar të ketë një fushatë të vetëdijësimit, informimit dhe vaksinimit në terren, sidomos tek komunitetet.

“Kjo çështje është trajtuar dhe është evidente se disa komunitete janë më të ekspozuara ndaj teorive të ndryshme konspirative dhe më pak të interesuara, jo vetëm për vaksinimin kundër COVID-19, por edhe në procesin e vaksinimit të rregullt të fëmijëve në kuadër të Programit të Zgjeruar të Imunizimit”, kanë deklaruar nga MSH.

Kjo ministri është arsyetuar me mungesën e dozave të mjaftueshme të vaksinave deri më tani, ndonëse në mesin e komuniteteve nuk ka të vaksinuar as të moshuar dhe as të sëmurë me sëmundje kronike.

“Fushata për informim dhe vetdijesim për rëndësinë e pjesëmarrjes në vaksinim kundër COVID-19 nuk e kanë përjashtuar asnjë komunitet, por realiteti ka qenë që, deri tash, numri i dozave për vaksinim ka qenë i kufizuar dhe kjo kë ndikuar që edhe fushatat të jenë proporcionale me mundësitë e vaksinimit”, kanë deklaruar nga MSH.

Sipas regjistrimit të fundit në vitin 2011, në Kosovë jetojnë 8.824 romë, 15.436 ashkali dhe 11.524 egjiptianë.

Në Kosovë deri më tani janë vaksinuar afër 220 mijë qytetarë, prej të cilëve afër 53 mijë me dozën e dytë. Në këto shifra janë të përfshirë punëtorët shëndetësorë dhe të moshuarit mbi 65 vjeç. Ndërkaq para disa ditësh ka filluar edhe vaksinimi për persona mbi 55-vjeç, si dhe disa kategori të tjera të profesionistëve.