Dalibor Jevtiq

Jevtiq: Serbët e Kosovës presin që ndërkombëtarët “të parandalojë krizën humanitare”

“Jeta e serbëve në Kosovë nuk ka qenë kurrë kaq e vështirë dhe ky është rezultat i politikave të regjimit të Kosovës. Me heqjen e dinarit në thelb po u dërgohet mesazhi serbëve që të mos jetojnë këtu”, ka thënë Dalibor Jevtiq, nënkryetar i Listës Serbe dhe kryetar i Komunës së Shtërpcës.

“Çdo ditë që kalon pa zgjidhje për heqjen e dinarit do të jetë gjithnjë e më e vështirë për serbët në Kosovë”, ka thënë ai për televizionin publik serb RTS.

“Nuk ka zgjidhje sepse regjimi aktual i Kosovës nuk dëshiron zgjidhje, ky regjim është pjesë e problemit, jo e zgjidhjes. Një numër i madh i serbëve tashmë është larguar nga këto zona dhe pas kësaj trendi vazhdon”, tha ai.

Jevtiq thotë se “pret reagimin e bashkësisë ndërkombëtare” sepse, sipas fjalëve të tij, “kur njerëzit nuk kanë mjete elementare për të mbijetuar, atëherë është çështje humanitare”.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të kalojë nga fjalët në veprime, dhe kjo është ajo që ne presim. Nga ana tjetër, ne kemi një mbështetje të madhe nga vendi ynë dhe presidenti i Serbisë. Nuk kemi asnjë pritje nga Albin Kurti dhe regjimi i tij, por presim që bashkësia ndërkombëtare ta parandalojë këtë krizë humanitare”, ka pretenduar ai.

“Mbështetja e Beogradit është më e rëndësishmja për serbët e Kosovës”, ka shtuar ai.

“Përkrahja e Beogradit është e rëndësishme, sepse për ne përfaqëson shpresë dhe na jep forcë shtesë që do ta kapërcejmë këtë. Na dhemb kur dëgjojmë mendimet e disa njerëzve nga opozita të ngjashme me ato të Prishtinës. Para së gjithash na duhet unitet dhe përkrahje, siç e ka dhënë qeveria serbe dhe presidenti ynë”, ka thënë ai.