Jevtiq komenton ankesat për fitoren e Listës Serbe: Kush humb, ka të drejtë të zemërohet

Në një intervistë ekskluzive për Rubikon, zëvendëskryeministri në largim, Dalibor Jetviq, duke komentuar deklaratat se Lista Serbe fitoi në komunat veriore në zgjedhjet e 6 tetorit, për shkak të presionit, ka thënë se “kush humb, ka të drejtë të zemërohet”.

“E kemi një shprehje të vjetër që thotë ‘kush humb, ka të drejtë të zemërohet’. Është një – kjo çfarë thoni, dhe tjetër – ajo çfarë populli serb në Kosovë e di. Populli serb në Kosovë e di shumë mirë se kush janë përfaqësuesit e Listës Serbe e kush janë këta të tjerët që përndryshe, dikur ishin pjesë e Listës Serbe. Që nga Aleksandar Jabllanoviqi, deri te Rada Trajkoviqi, Sllobodan Petkoviqi dhe Nenad Rashiqi. Ata ishin pjesë e Listës Serbe dhe vendosën të largoheshin, sepse konsideruan që ata nuk mund të jenë në pozitat që atëkohë kërkonin brenda qeverisë, ministra apo diçka tjetër. Do të thotë, ata më shumë prireshin nga interesi personal”, ka thënë ai.

Jevtiq për politikanët tjerë serbë në Kosovë tha se flasin vetëm se nuk janë në pozitat që ata duan dhe se kur e gëzonin një mundësi të tillë, nuk arritën të bëjnë asgjë.

“Nenad Rashiqi kur ishte deputet, në legjislaturën kur kryeministër ishte Isa Mustafa, i ishte bashkuar grupit parlamentar të Listës Serbe. Atëherë, në atë kohë nuk i pengonte dhe e dimë se çfarë deklaratash jepte kur fliste që ekziston nevoja e serbëve në Kosovë që të kenë bashkëpunim të ngushtë me Beogradin, që ekziston nevoja ngase vetëm Beogradi mund të mbrojë interesat e serbëve në territorin kosovar dhe, ne që i njohim edhe Rashiqin edhe këta të tjerët që i përmenda, nuk na habit kur ata kohë pas kohe, ndryshojnë qëndrimet dhe deklaratat, por këtë e bëjnë krahasuar me atë që janë interesat e tyre personale në një moment të caktuar. Ata s’janë as liderë, as politikanë”, ka thënë Jevtiqi.

Sipas tij, ata po “përdorin problemet e popullit për qëllimet e tyre politike”.

“Ata janë njerëz që patën mundësi kur ishin në pozita, të bëjnë diçka por s’kanë bërë asgjë, shkaku i interesave të tyre personale. Ata janë njerëz, sikurse puna e Petkoviqit, të cilët, në legjislaturën e shkuar kishin 0 minuta fjalim dhe 0 amendamente që i përkrahën në ligj. Dhe si mundet një i tillë sot të flasë se mund të përfaqësojë interesat e popullit serb, janë ata të cilët keqpërdorin probleme të caktuara të popullit për qëllimet e tyre politike”, ka shtuar më tej Jevtiqi.

Zëvendëskryeministri në largim po ashtu ka thënë se është i hapur për debat publik me politikanët tjerë serbë në Kosovë.

Ai ka përmendur edhe vizitën e delegacionit të tyre në Uashington dhe Bruksel, ku sipas tij, vetëm u uruan për fitoren dhe nuk i pyetën se si erdhën deri aty.

“Kurdo që doni (jam i hapur për debat publik me politikanët tjerë serbë në Kosovë)! Por, duhet ta kuptoni një gjë, që në përgjithësi, keni njerëz që tashmë gjatë janë në politikë këtu në Kosovë dhe mund të bëjnë punë të caktuara në kohë të caktuar dhe shohim rezultatet. Bazuar në këto rezultate, dikush mund të vendosë nëse do të votojë për ju apo jo. Bazuar në atë, keni respektin e atyre që keni bashkëpunuar nga bashkësia ndërkombëtare. E këtu definohen disa gjëra. Pas këtyre zgjedhjeve, me kolegët e mi nga Lista Serbe ishim të ftuar në Uashington dhe Berlin, pastaj në Paris dhe Bruksel dhe aty na urojnë fitoren dhe askush nuk pyet rreth asaj se si, në çfarë mënyre erdhëm ne deri te fitorja”, ka thënë ai.