Jeremiq thotë se Vuçiq-it s’i intereson Kosova fare, vetëm e përdorë për të mashtruar perëndimin

Kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq, ka thënë se qëllimi i presidenti të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk është zgjidhja e çështjes së Kosovës, por vetëm që përmes situatës në Kosovë të fitojë simpatinë e ndërkombëtarëve duke bërë lëshime në momente të caktuara.

Sipas Jeremiç, opozita i Vuçiq-it në Serbi, presidenti serb i bën lëshime Bashkimit Evropian për çështjen e Kosovës, sepse Kosova nuk i intereson.

“Qëllimi i Vuçiç-it nuk është të zgjidh çështjen e Kosovës në përputhje me interesat kombëtare të Serbisë, por të sigurojë mbështetjen e Perëndimit për disa vite të tjera në pushtet përmes lëshimeve të mëtejshme dhe dorëzimit të interesave kombëtare të Serbisë në Kosovë”, tha Jermiç për agjencinë e lajmeve serbe Beta.

Madje ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, ka theksuar se zgjidhja e çështjes së Kosovës është në varësi të mbijetesës së Partisë Progresive Serbe e cila udhëhiqet nga president serb Aleksandër Vuçiq.

Ai shtoi se çështja kryesore në negociatat me Kosovën është anëtarësimi në Kombet e Bashkuara dhe “kjo duhet të jetë vija e kuqe e politikës shtetërore të Serbisë, kushdo qoftë në pushtet”.

“Çelësi i anëtarësimit të Kosovës në OKB është në duart e Serbisë dhe ne mund ta heqim këtë çështje nga tavolina duke kërkuar zyrtarisht nga Rusia dhe Kina të vënë veton në Këshillin e Sigurimit. Nëse çështja e anëtarësimit të Prishtinës në OKB ndonjëherë është në rend dite”, potencoi ai.