Vuk Jeremiq

Jeremiq: Të refuzohet plani franko-gjerman pas zgjedhjeve, çështja më e rëndësishme

Bartësi i listës “Partia Popullore – Zgjedhja e sigurt, Vuk Jeremiq ka thënë se më e rëndësishmja është refuzimi i planit franko-gjerman për Kosovën pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Duke folur për zgjedhjet e 17 dhjetorit, Jeremiq tha se për Partinë Popullore, nëse rezultati do të jetë i kënaqshëm nuk varet në radhë të parë nga numri i votave të fituara nga lista e tij, por nga fakti nëse pas zgjedhjeve do të ketë rrethana që do të mundësojnë refuzimin e planit franko-gjerman, “ultimatumi më serioz që Serbia është përballur që nga viti 1999”.

“Gabohen ata që thonë se për këtë Serbia do të sanksionohet, do të vihen viza ose do të tërhiqen investitorët. A nuk ju thanë se pasoja të ngjashme na presin nëse nuk vendosim sanksione ndaj Rusisë? Unë pretendoja atëherë, siç pretendoj tani, se nuk ka asgjë”, tha ish-ministri i Jashtëm i Serbisë.