Jeremiq: Konfliktet nuk janë larg, nëse vazhdohet me iden e korrigjimit të kufijve

Kryetari i Partisë Popullore Serbe, Vuk Jeremiq, ka thënë se ridefinimi i kufijve mbi bazat etnike në Kosovë do të mund të jetë shkëndija që do të shkaktojë konflikte të reja në Ballkan dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtar për të parandaluar një gjë të tillë.

“Konfliktet e reja nuk janë shumë larg në qoftë se vazhdohet në këtë drejtim. Mënyra se si bashkësia ndërkombëtare është duke e trajtuar aktualisht Ballkanin favorizon shpërthimin e konflikteve”, ka thënë Jeremiq, në “Pearson Global Forum” që po mbahet në Universitetin e Çikagos në SHBA, raporton “Beta”.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Jeremiq, tha se pushtetarët e Serbisë dhe ata në Kosovë po inkurajohen të arrijnë një marrëveshje që nënkupton ridefinim të kufijve mbi bazat e vijave etnike.

“Është shumë e mundshme që një precedent i tillë të shkaktoi një zinxhir të ngjarjeve që do të çojë në një përpjekje për të zbatuar të njëjtat parime dhe në pjesë të tjera të rajonit. Korrigjimi i kufijve të brishtë mund të jetë shkëndija që do të shkaktojë konflikte të reja në Ballkan”, tha Jeremiq.