Jep dorëheqje njeriu që propozoi masat e izolimit në Britani – pasi i theu ato për ta takuar të dashurën

Shkencëtari Neil Ferguson, i cili këshilloi kryeminstrin britanik, Boris Johnson, për vendosjen e masave të bllokimit për të luftuar coronavirusin, ka dhënë dorëheqje nga roli i tij qeveritar pasi shkeli rregullat e kufizimit për të takuar të dashurën e tij e cila është e martuar me dikë tjetër.

Sipas mediave të huaja, Ferguson 51 vjeç e lejoi Antonia Staats të udhëtonte nëpër Londër për ta vizituar atë në shtëpinë e tij përkundër bllokimit, për të cilin ai vazhdimisht ka theksuar se është jetik në ndalimin e përhapjes së virusit.

Staats 38-vjeçe jeton me burrin e saj, i cili është në të 30-tat dhe me dy fëmijët e tyre në një shtëpi prej 1.9 milion funta, në jug të Londrës.

Ajo udhëtoi nëpër qytet për të vizituar shkencëtarin dhe kjo ndodhi pasi bllokimi u vendosë më 23 mars, përcjell Telegrafi.

“E pranoj që nuk kam vepruar mirë, dhe mora rrugën e gabuar”, tha Ferguson i “Imperial College London”.

“Prandaj, jam larguar nga implikimi im në Sage”, tha ai duke iu referuar Grupit Këshillimor Shkencor për Emergjencë.

“Më vjen keq për çdo ‘dëmtim’ të mesazheve rreth nevojës së vazhdueshme për distancim shoqëror për të kontrolluar këtë epidemi shkatërruese”, ka shtuar ai.

Bëhet e ditur se Mbretëria e Bashkuar është bërë shteti me numrin më të lartë të vdekjeve nga coronavirusi i ri (COVID-19) në Evropë, pasi kjo shifër u rrit në 29.427.