Javë e nxehtë në hendboll, vëmendja në Vushtrri

Në Vushtrri do të jetë vëmendja e tifozëve të hendbollit sa i takon ndeshjeve të xhiros së nëntë të Superligës së hendbollistëve.

Të shtunën prej orës 19:00 në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” është derbi regjional mes Vushtrrisë dhe Trepçës.

Të dy skuadrat kanë pretendime për fitore, ndërsa ndeshja pritet të jetë e fortë dhe interesante deri në fund. Po ashtu pritet numër i madh i shikuesve.

Vushtrria është e shtata në tabelë me 4 pikë, përkatësisht me dy fitore e katër humbje. Trepça ka pesë fitore dhe dy humbje, ndërsa renditet e treta me 10 pikë.

Të shtunën janë edhe ndeshjet Prishtina – Vëllaznimi (16:00) dhe Llapi – Kastrioti (19:00). Prishtina e Kastrioti janë favoritë, por Vëllaznimi vazhdimisht kërkon fitore ndaj skuadrave që i ka më lartë në tabelë. Xhiroja e nëntë mbyllet të dielën kur Besa Famgas e pret Deçanin. Kampioni dhe lideri, Besa Famgas, është favorit në ndeshjen që zhvillohet prej orës 18:00 në Pejë.