Jashari: Veteranët deshën t’i çojnë mesazh Qeverisë që të mos guxojë të luajë me vlerat e luftës

Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve ka folur rreth protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u zhvillua të hënën.

Jashari tha se përmes kësaj proteste, veteranët kanë dashur që t’i “çojnë mesazh Qeverisë që të mos guxojë të luajë me vlerat e UÇK-së”.

“Mendoj se është e arsyeshme, e logjikshme sepse veteranët kanë pritur shumë dhe kanë një dozë nervoze jo vetëm në këtë periudhë të kësaj Qeverie, por kjo protestë ka ndodhë dhe është dashur t’i çohet mesazh që të mos guxojë të luaj me vlerat e UÇK-së”, tha ai.

Sipas tij, zhgënjimi i veteranëve nga Qeveria aktuale është se kanë parë një tendencë për shkëputjen e tyre nga Ligji për Pagën Minimale.

“Zhgënjimi i tyre është sepse kjo Qeveri është dashur të zbatojë ligjin në Kuvend dhe të mos insistojë të shkëpus kategorinë më të rëndësishme të kësaj shoqërie, këtij shteti nga beneficioni. Dua t’i bëjë me dije Qeverisë mos të manovrojë me këto gjëra sepse dy ligje e definojnë se baza e definicionit të luftëtarit të UÇK-së është e përcaktuar me ligj dhe e lidhur me pagën minimale”, shtoi Jashari në TëVë1.