Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i ka bërë ftesë kryeminsitrit, Albin Kurti, që të shkojë në zyrat e SBASHK-ut për t’i takuar, pasi Kurti të mërkurën tha se “shkon ku e thërrasin”.

Jasharaj në një letër dërguar mediave, ka bërë ftesë ndaj Kurtit për takim me të.

Ai ka thënë se “kafe e çaj kemi edhe ne, publikisht po i drejtohem Kryeministrit Kurti që ta marr ministren Nagavci e Ministrin Murati dhe të vijnë javën e ardhshme në SBASHK.”

Reagimi i tij:

Tha se shkon ku e thërrasin, Kryeministër eja javën e ardhshme në SBASHK

E pata vështirë të besoj dhe prandaj e dëgjova disa herë dhe pastaj po ashtu disa herë e lexova me kujdes dhe u binda Kryeministri e paska thënë se shkon aty ku e thërrasin.

Ky deklarim i tij më bëri që ta kritikoj kryetarin e BSPK-së , Atdhe Hykolli, por edhe të bëhem vetëkritik. Ne i kemi dërguar dhjetëra kërkesa Kryeministrit në emër të BSPK-së dhe ne shumë kërkesa ministres Nagavci për takime e për të bashkëbiseduar për gjithë shqetësimet dhe kërkesat e anëtarësisë , por u kemi thënë se takimet t’i mbajmë të ata dhe meritojmë kritika se e paskemi harruar traditën shqiptare të mikpritjes dhe në shkresat tona për takime as edhe një herë nuk u kemi thënë ejani te ne.

Tani kur e mësova këtë dëshirë të Kryeministrit dhe Qeverisë së tij se duhet t’i thërrasin se kafe e çaj kemi edhe ne, publikisht po i drejtohem Kryeministrit Kurti që ta marr ministren Nagavci e Ministrin Murati dhe të vijnë javën e ardhshme në SBASHK.