Qindra punëtorë të arsimit janë mbledhur sot para Ministrisë së Arsimit për të protestuar në shenjë pakënaqësie ndaj Qeverisë. Mësimdhënësit më pas kanë vazhduar edhe tek objekti i Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) Rrahman Jasharaj ka hedhur akuza të rënda në adresë të ekzekutivit.

Jasharaj ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që asnjëherë nuk i ka ftuar në takim sindikatat, por sipas tij ai gjen kohë të takoi “çdo dytën ditë përfaqësuesit e pushtuesit”, raporton Ballkani.info.

“Kemi shpresuar shumë që Kurti pa ardhë në qeveri na premtonte që do t’i ndihmonte sindikatat, t’i forcojë ato. Por çka ndodhi, ndodhi e kundërta. Ai dikur thoshte se dialogu me Serbinë pushtuese nuk do ketë fare në rend dite, por e ka radhën me biseduar me popullin. Ndodhi e kundërta. Çdo dytë ditë takim me përfaqësueset e pushtuesit, e asnjëherë takim me sindikatat, me njerëzit që janë të këtij vendi, që në vitet e 90-ta e kanë mbajtur gjallë ëndrrën për lirinë e Kosovës, që jam rrahur e burgosur dhe kanë arritur që ta ruajnë arsimin shqip kundrejt fortunave e sulmeve të vazhdueshme të pushtuesit”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka akuzuar edhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci duke e fajësuar se nuk i ka përkrahur kërkesat e mësimdhënësve.

“Ministja Nagavci as edhe një herë nuk u bë zë i të punësuarve në arsim dhe as edhe një herë nuk foli në qeveri e nuk kërkojë të debatohej për kërkesat legjitime të punëtorëve të arsimit. Ajo u mundua ta mohojë e zhvleftësojë njëanshëm Kontratën Kolektive të Arsimit dhe atëherë deklaronte se do të bisedohet për Kontratën e re, por shihet se e ka pasur vetëm si deklaratë, sepse tani e sa muaj i kemi drejtuar kërkesa për dialog lidhur me Kontratën dhe më 2 tetor ia kemi dorëzuar draftin e ri të Kontratës Kolektive të Arsimit. Por, ajo nuk do dialog e as negocim dhe mos të harrojë ministrja Nagavci se duke qenë kundër Kontratës së re Kolektive të Arsimit është kundër punëtorëve të arsimit, sepse Kontrata është bazament që siguron dhe garanton të drejtat legjitime të punëtorëve arsimorë dhe nuk lejon që dikush t’i shkel ato”, tha ai.

Më pas kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka akuzuar edhe Ministrin e Financave, Hekuran Murati duke ia kujtuar këtij të fundit edhe ndalesën e pagesave për mësimdhënësit.