Jasharaj: Në vend se të realizojë premtimet, ministria dëshiron ta shkatërrojë unitetin e SBASHK-ut

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që sipas tij nuk po i mban premtimet parazgjedhore për arsimin të cilat i kishte listuar në programin qeverisës 2021-2025.

Në një prononcim për Albanian Post, ai shprehet pesimist se do të ndryshojë diçka në të ardhmen.

Thotë se “këto premtime fatkeqësisht kanë mbetur vetëm premtime”.

“Bazuar në situatën aktuale të tilla do të mbesin”, pohon Jasharaj për Albanian Post duke iu referuar eksperiencës së tij të fundit me qeverinë, kur nuk u morën dot vesh për shtesën për mësimdhënës prej 100 eurove, as pas më shumë se një muaj grevë.

“MASHTI tani e sa kohë në vend të angazhimit për të realizuar këto premtime më shumë po humb kohë në përpjekje për të dëmtuar unitetin e shkëlqyer të anëtarësisë së SBASHK-ut”, deklaron ai.

Ndryshe, në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, pos tjerash, thuhej se qeveria do të ofrojë në gjithë vendin shujta falas për fëmijë, banim të përballueshëm për mësimdhënësit që nuk e përballojnë dot, model të shpërblimit të performancës, futjen e lëndëve “logjika gjuhësore, logjika matematikore dhe mendimi kritik” dhe ndryshim të notimit, jo më me 1 deri 5, por vlerësim formal.

Rreth dy vjet kanë kaluar nga shpalosja e këtij programi, por të gjitha këto objektiva kanë mbetur në atë fazë që ishin në momentin e shpalosjes.

Ministria e Arsimit, prejse është ministres Arbërie Nagavci, e cila u dëshmua nga raportimet që edhe vetë ka diplomuar jashtëligjshëm, kryesisht është marrë me menaxhimin e krizave.

Më e madhja, ajo e grevës nga mësimdhënësit, e cila është pezulluar përkohësisht, për siç kanë thënë nga SBASHK-u “me shpresën se qeveria reflekton deri në janar”.