Janez Jansha

Jansha: BE-ja e ka humbur kontrollin në dialog, rruga ku po ecet nuk po sjell rezultate

Ish-kryeministri i Sllovenisë dhe lideri i Partisë Demokratike Sllovene, Janez Jansha, beson se Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, e ka humbur kontrollin mbi dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për dy arsye.

Arsyeja e parë, sipas politikanit slloven, është mungesa e guximit që ka si Unioni ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar në raport me çështjet e pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor.

“BE-ja dhe Perëndimi në përgjithësi nuk janë mjaftueshëm të guximshëm, të fortë dhe të mençur për t’i zgjidhur këto probleme, jo vetëm përmes negociatave, por përmes një përpjekjeje të koordinuar”, thotë ai në një intervistë për Euronews edicioni në gjuhën serbe.

Dështimi i BE-së në raport me procesin e dialogut Kosovë – Serbi, sipas Janshës, e ka edhe një arsye.

“Arsyeja e dytë është se edhe ato negociata, pa atë qasje të koordinuar, nuk janë mjaftueshëm të lidhura me procesin e anëtarësimit në BE”, thekson Jansha.

Jansha vlerëson se vetëm me një bashkëpunimin të mirëfilltë dhe me një synim të qartë ku as Kosovë dhe as Serbia nuk humbasin asgjë dhe të dy përfitojnë diçka mund të arrihet një rezultat i mirë.

“Rezultati i mirë mund të arrihet vetëm me shumë përpjekje dhe me shumë vullnet politik dhe investime financiare”.

Ish-kryeministri i Sllovenisë, ndër të tjera, ka thënë se për një kohë relativisht të gjatë nuk ka përcjellë në detaje procesin e dialogut, meqë ka vlerësuar se as Kosova dhe as Serbia nuk kanë zbatuar marrëveshjet ndërsa janë dakordësuar për marrëveshje të reja të cilat njëjtë nuk po zbatohen.

“Pse të interesohem për diçka që nuk po sjellë asnjë rezultat? Duhet të shikohet nga një perspektivë më e gjerë. Në bisedime duhet të ketë sinqeritet dhe korrektësi politike, është e qartë se rruga ku po ecet nuk po sjell asnjë rezultate” ka potencuar ai.