Janjiq: Ndikimi i Rusisë në barrikadat e veriut është më i madh se i Vuçiqit

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, tha sot se Beogradi e legalizoi politikën e barrikadave në veri të Kosovës përmes Këshillit të Sigurisë Kombëtare, “ku lojtari më i spikatur është Aleksandar Vuçiq”, por që tani Vuçiq nuk ka kontroll mbi të gjithë njerëzit e armatosur që qëndrojnë në barrikada. “Ndikimi i Rusisë është më i madh se ndikimi i Beogradit kur bëhet fjalë për rrëshqitje të gjërave drejt konflikteve të armatosura”, ka thënë Janjiq.

Janjiq tha për agjencinë “Beta” se në barrikada ka serbë nën detyrim të punës apo politik, por edhe njerëz të armatosur dhe të maskuar të kontrolluar nga shërbime të ndryshme të sigurisë serbe dhe të huaja.

 “Rojet e armatosura të barrikadave i përkasin strukturave të ndryshme të sigurisë dhe grupeve të tifozëve. Vuçiq ka ndikim dhe kontroll mbi disa prej këtyre strukturave dhe tifozëve, por mes tyre ka edhe nga ata që kanë kryer stërvitje në Perëndim apo në kampet e ‘Ëagnerit’ rus dhe ndikim më të madh tek ata kanë Perëndimi dhe Moska sesa Beogradi. Vuçiq nuk mund ta kontrollojë protestën në veri të Kosovës në këtë moment, edhe pse në fund, për shkak të gabimeve që ka bërë, do të jetë përgjegjësi më i madh për pasojat që mund të dalin, ka vlerësuar Janjiq.

Sipas tij, sa më gjatë të zgjasin barrikadat, aq më pak kontroll do të ketë Beogradi mbi to.

“Gjëja më e keqe është kur shteti vjen në situatë për kontrollin e institucioneve parashtetërore përmes formacioneve parashtetërore. Ndikimi i Rusisë është më i madh se ndikimi i Beogradit kur bëhet fjalë për rrëshqitje të gjërave drejt konflikteve të armatosura. Gjithashtu, disa nga njerëzit kryesorë nga Lista Serbe janë të lidhur me shërbimet e inteligjencës britanike, disa janë të lidhur me Vuçiqin dhe një pjesë është jashtë çdo kontrolli. Situata është shumë e komplikuar dhe tashmë shumë kanë mundësi të gjuajnë të shtënat e para”, ka theksuar Janjiq.

I pyetur nëse dhe në çfarë mënyre mund të parandalohen konfliktet e mundshme të armatosura, Janjiq tha se për momentin nuk është në interesin e askujt që të ndodhë një konflikt.