Qeveria e Kosovës vitin 2019 si duket nuk e filloi mbarë. Pas grevave të sindikatave në vitin e kaluar, edhe ky vit si duket ka filluar me të njejtin avaz.
Për momentin, Qeveria po përballet me tre greva aktive të kirurgëve, minatorëve dhe ajo e arsimit e cila është paralajmëruar të nisë të hënën.
Kërkesat e vetme që po iu drejtohen Qeverisë, janë përmirësimet e kushteve dhe ngritja e pagave për këto sektore, shkruan Ballkani.info.
Greva e Kirurgëve
Kirurgët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të cilët gjenden në grevë tash e disa ditë, janë vizituar nga Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Ismaili iu ka premtuar ngritje pagash deri në 1200 euro, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për kirurgët, të cilët refuzimin e tyre e kanë arsyetuar me ankesa se ‘prokurorët dhe gjykatësit në Kosovë paguhen më shumë’.
Në krahasim me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka i cili ka gjetur kohë që ditën e sotme të takohet dhe përballet me kërkesat e grevistëve nga Sindikata e Minatorëve, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili nuk e ka marrë shumë seriozisht refuzimin e kirurgëve për ngritje pagash, andaj tash e sa ditë, ai nuk ka gjetur kohë që t’i vizitojë më.
Sindikata e Minatorëve dhe Këshilli Grevist
Në anën tjetër, Minatorët e Trepçës kanë refuzuar ti futen punës pa u dakorduar me qeveritarët për ngritje pagash dhe përmirësim të gjendjes në objektet ku punojnë.
Përfaqësues të Minatorëve, prapa kamerave kanë deklaruar se gjendja nuk është e mirë dhe se greva ka arritur deri në atë masë ku ata janë kërcënuar.
‘Na kanë thënë t’i kthehemi punës ose do ta shohim. Ky është kërcënim direkt por askush nuk reagon’ kanë thënë minatorët, raporton Ballkani.info.
Ministri i Zhvillimi Ekonomik, Valdrin Lluka së bashku me kryetarin e Mitrovicës jugore, Agim Bahtirin kanë vizituar ditën e sotme Sindikatën e Minatorëve dhe Këshillin Grevist.
Lluka ka thënë se i ka njoftuar minatorët që gjenden në grevë, se deri në fund të muajit Janar kur edhe do të mbahen seancat e para në Kuvendin e Kosovës, do të bëhet edhe miratimi i statusit të ri të ‘Trepçës’.
Sa i përket kërkesave të minatorëve për rritje pagash, ministri Lluka ka thënë se duhet të kenë konsideratë deri në qartësimin e statusit të ‘Trepçës’ dhe të angazhohen në ngritjen e kapaciteteve prodhuese të kësaj ndërmarrje, e pastaj mund të mirren parasysh edhe kërkesat e tyre për paga.
Minatorët kanë deklaruar se kërkesat e tyre kanë qenë të qarta qysh në fillim, duke kërkuar përmirësim të kushteve, ngritje pagash, të ndalen punësimet e reja pa konkurs, takim me Bordin e Minatorëve ose në të kundërtën, greva do të eskalojë.
Greva nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës
Greva tjetër e paralajmëruar nga SBASHK-u në arsim, pritet të fillojë në ditën kur do të fillojë mësimi në shkolla, pas pushimeve dimërore.
Greva do të nisë më 14 janar dhe nuk ka datë të caktuar për përfundimin e saj.
Nga Qeveria, SBASHK-u ka kërkuar ngritje poashtu, por kjo kërkesë si duket nuk është në rend të shqyrtohet.
Ndaj grevës, kanë reaguar edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, i cili ka thënën se për vitin 2019, arsimi do të ketë rreth 19% buxhet më shumë e që në praktikë i bie rreth 11 milionë euro, andaj nuk ka parë arsye për grevë pasi që këto mjete do të investohen për përmirësimin e kushteve për mësimdhënie.
Grevën e SBASHK-ut, e kanë kritikuar edhe Këshilli i Prindërve, të cilët kanë thënë se prej grevës, humbës janë vetëm nxënësit, transmeton Ballkani.info.







