‘Jam e lumtur që mami im vdiq’: Libri me rrëfimet shokuese të aktores së ‘iCarly’

Paralajmërim për përmbajtjen: Ky artikull përmban përshkrime të abuzimit emocional, mendor dhe fizik.

Jennette McCurdy është vetëm 30 vjeç, por ish-aktorja, si shumë yje fëmijë para saj, ka kapërcyer tashmë një sërë traumash. Tani, ajo po i zbërthen të gjitha në një kujtim të ri prekës, duke folur hapur për abuzimin që pësoi nga mamaja e saj e ndjerë dhe nga një industri në të cilën ajo kurrë nuk aspironte të kishte një karrierë.

Jennette – e cila më së shumti njihet si Sam Puckett nga seriali i suksesshëm i Nickelodeon, “iCarly” (dhe spinoffi i saj i mëvonshëm me Ariana Grande, “Sam & Cat”) – nxjerr “mëkatet” e nënës së saj në “I’m Glad My Mom Died”, i cili do publikohet më 9 gusht.

Autorja shqyrton edukimin e saj, marrëdhëniet që kultivoi në Hollywood dhe luftën e gjatë me ushqimin, si dhe shfrytëzimin që u bëhet artistëve të rinj nga mediat.

Disa nga zbulimet më të rëndësishme nga libri, janë:

Abuzimi që mamaja e aktores ushtroi ndaj saj

Jennette u rrit në një familje të paqëndrueshme financiarisht në Kaliforni dhe ishte vetëm 2 vjeç kur nëna e saj Debra McCurdy u diagnostikua me kancer të gjirit në fazën e katërt në moshën 35-vjeçare. Kjo diagnozë ngjyrosi shumë nga vitet e para të Jennette dhe ndezi dëshirën e saj të vazhdueshme për ta bërë mamanë e saj, që 30-vjeçarja e konsideron narciste, të lumtur. Kjo ishte, pjesërisht, arsyeja pse ajo vazhdoi të ndihmonte Debra-n të arrinte qëllimin e saj: të bëhej një yll i Hollywood-it.

Mamaja e Jennette u fiksua me qëllimin për ta bërë të bijën të famshme. Jennette, asokohe, u detyrua të merrte pjesë në audicione ndërkohë që ishte sëmurë, madje edhe pasi i tha të ëmës që nuk dëshironte ta bënte më këtë gjë.

Derisa Jennette ishte 17 vjeç, Debra këmbënguli të bënte dush me të – ndonjëherë duke e detyruar atë të ndante vaskën me vëllain e saj adoleshent. Ajo gjithashtu bënte “ekzaminime” të gjoksit dhe të pasmeve për vajzën e saj. Në momente, ajo këmbëngulte gjithashtu të fshinte Jennette kur ajo shkonte në banjë.

Kur Jennette mbushi 18 vjeç, kanceri i nënës së saj u kthye dhe Debra vdiq përfundimisht nga sëmundja në vitin 2013. Në kohën që pasoi, me ndihmën e terapisë, Jennette filloi të kuptonte se nëna e saj ishte abuzive.

Incidentet e panumërta të abuzimit emocional, fizik dhe mendor “do të ndikojnë përgjithmonë tek unë”, shkruan Jennette.

Në të 20-at, ajo zbuloi se i ati nuk ishte babai i saj biologjik

Një vit pas vdekjes së Debrës, babai i Jennette, Mark McCurdy, zbuloi se ai nuk është babai biologjik i Jennette dhe dy nga vëllezërit e motrat e saj. Kur takohet me babain biologjik, ai thotë se “një betejë për kujdestarinë parandaloi çdo lloj marrëdhënieje.”

Ajo kishte një miqësi të vërtetë me Miranda Cosgrove

Miqësia që nisi në xhirimet e iCarly, mes dy aktoreve kryesore, u kthye në një marrëdhënie të fortë dhe miqësi të vërtetë. Jennette tregon se aktorja e ka mbështetur teksa ajo luftonte me çregullimin e të ngrënit. Madje e ka shoqëruar, kur Jennette shkoi të takonte babain biologjik.

Edhe pse tani marrëdhënia e tyre, nuk është si më parë, dyshja është përsëri “në rregull” me njëra-tjetrën.

Jennette pranon se ishte xheloze për Ariana Grande-n

Gjatë sezonit të vetëm të “Sam & Cat” në Nickelodeon, Jennette u përball me zhgënjimin e karrierës pasi Ariana Grande, kolege e saj në serial, po ngrihej gjithnjë e më shumë në industrinë e muzikës. Jennette shkruan se Grande shpesh riplanifikonte provat ose xhirimet, pasi ajo merrte më shumë mundësi jashtë serialit. Duke reflektuar, Jennette thotë se ishte “xheloze” për Grande, gjë që u shndërrua në një mospëlqim ndaj partneres së saj në skenë.

30-vjeçarja pretendon se iu ofruan para nga Nickelodeon, për t’i mbyllur gojën

McCurdy pretendon se pas anulimit të vazhdimit të “iCarly”, “Sam & Cat”, në 2014, asaj iu ofrua 300 mijë dollarë nga Nickelodeon – me paralajmërimin se ajo duhet të shkruante një kontratë që do ta pengonte të fliste për përvojat e saj në rrjet (që, sipas saj, përfshinin prekjen e papërshtatshme, detyrimin për të veshur bikini në ekran dhe ofrimin e alkoolit në moshë të mitur).

McCurdy thotë se ajo e hodhi poshtë ofertën, të cilën Nickelodeon nuk ka pranuar ta komentojë publikisht.