Jakup Krasniqi i reagon Veselit e Hoxhajt: Lavde koti, veç në Kosovë

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka komentuar vendimin që u mor sot në Kryesi të Kuvendit që me datë 22 gusht të thirret një seancë e jashtëzakonshme për të shpërndarë kuvendin që t’i hapet rrugë zgjedhjeve të reja. I njëjti i ka reaguar deklaratave të kreut të PDK-së, Kadri Veselit e Enver Hoxhajt, që thanë se ajo çka u vendos sot ishte meritë e tyre.

Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ajo se çka po flitet që shpërndarja e Kuvendit është një sukses i madh, nuk duhet të jetë i tillë për këtë qeverisje, sepse vendi më i varfër në Evropë sipas tij për këtë kohë arriti t’i shpenzojë miliona euro buxhetit të shtetit.

“Sot po flitet për një “sukses” të madh, për mundsin e shpërndarjes se kuvendit te legjislaturës së gjashtë (të katërtën pas Pavarësisë)?! Në fakt, sa mund të jetë sukses shpërndarje e Kuvendit të cilit qytetarët ia kishin dhënë mandatin për katër vjet. Madje sa mund të krenohen ata që gjatë gjithë legjislaturave ishin në Kuvend, ishin edhe në qeverisje, premtuan male më mjaltë e qumësht e në anën tjetër njerëzve ua dhanë ikjen për një vend pune?! Madje pas Pavarësisë asnjë legjislaturë nuk arriti ta çojmë deri në fund mandatin?! Dhe jo vetëm kjo, por duke mos e quar deri në fund mandatet (jo pa fajin e Kryeministrave), vendi më i varfër i Evropës arriti t’i shpenzojë miliona euro të Buxhetit të shtetit. Pra, askush nuk duhet të lavdrohet për keq qeverisje”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, kjo po ndodhë pasi që përfaqësuesit e Kosovës që pas pavarësis ishin dhe vazhdojnë të jenë në shërbim të individit.

“Ishte kjo, se përfaqësuesit në Kuvendin e Kosovës, sidomos pas Pavarësisë ishin dhe vazhdojnë të jenë në shërbim të individit, të atyre që kanë qeverisur keq sa herë që u është dhënë mundësia, por asnjëherë nuk e kanë mbrojtur interesin e popullit që i ka “zgjedhur”. Mbase, shumica e të zgjedhurve në Kuvendin e Kosovës vetën e kanë konsideruar të zgjedhur të shefit apo shefave e jo të qytetarëve të Kosovës, të atyre që i kanë dërguar në Kuvend. Deputetët duke qenë të zgjedhurit e shefave të “partive” politike kanë bërë që kualiteti i përfaqësimit qytetarë në Kuvend të kenë rënie të vazhdueshme. Shenja më e mirë e kësaj që u tha, është fakti se asnjë legjislaturë nuk ka arritur ta çoi mandatin deri në fund dhe shembulli më i keq është i kësaj legjislature e cila nuk arriti ta çoi mandatin as dy vjet të plota. Dhe absurdi më i madh është se serish në krye të listave zgjedhore janë të njëjtit individ të cilët në partitë politike jo demokratike kanë instaluar despotizmin politik të sundimit. Duke vendosur sundimin despotik në partitë e tyre, ata sa herë që vijnë në pushtet, nuk qeverisin me vendin, por sundojnë si despot oriental”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka shtuar se nuk është meritë për ndonjë individ apo parti shpërndarja e Kuvendit, përkundrazi është dobësi e të qeverisurit.

“Prandaj nuk është ndonjë meritë për asnjë parti a individ shpërndarja e Kuvendit, përkundrazi është dobësi e të qeverisurit. Kot lavdërohen disa, kjo është dobësi që duhet të ndëshkohet nga qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme. A do të ndodh dështimi i të merituarve, kjo kryekreje do të varet nga qytetarët e Kosovës dhe vullneti i tyre për të sjellë ndryshimin në jetën politike e institucionale në Kosovë. Kjo varet shumë nga zgjedhësi se a do të zgjedh ai nga vullneti e besimi i tij i mendjes për ndryshim apo interesi mjeran i xhepit për mos ndryshim”, ka shkruar Krasniqi.

loading…